Nga Bujar Plloshtani
Po e nis esenë time me shprehjen e filozofit gjerman Friedrich Nietzsche “Një grua që dashuron, sakrifikon nderin e saj; një dijetar që “dashuron” sakrifikon ndoshta njerzillëkun e tij; një Zot që dashuroi, u shndërrua në hebre...”.
Ndërkaq, politika shqiptare dashuron moralin shpirtëror tek na hiqet mbi joshjen e sublimes mbi planin e një ekzistence të mirëfilltë racionale, kinse garantohet e drejta e secilit qytetar. Ky plan është tejet ekzistencial, sepse kujdeset për ngritjen e vetëdijes intelektuale dhe ekonomike të shoqërisë me anë të masave politike e morale nga individ të caktuar politik. Megjithatë, këtu mbaron ironia, dhe thuhet e vërteta: politika shqiptare është aq e bindur të dashurojë moralin, saqë ndonjëherë sakrifikon edhe nderin e popullit të tij, duke i dhënë llum të përhershëm, ose çhumanizim social që të shndërrohet në makineri e zakonshme.
Morali në politikë nuk është koncept i rastësisë. Morali i një elite politike, të paktën këtu tek ne fitohet me punë ose shprehje demagogjike duke na fryrë në kokë. Gjithçka që është e moralshme në politikë është shprehje drejt tërheqjes në hon të përgjithshëm. Është një ftesë drejt fundosjes së universales. Pra, duke e bërë krejt të pavlefshme interesin e përgjithshëm të shoqërisë duke u marrë me çështjet e tyre të brishta. Për këtë shkak mahnitës, politika shqiptare, por dhe ajo mbarëshqiptare është e prirur të pjellë një moral të tillë që më lehtë të mund të mbështesë energjitë e tyre të konkurrencës. Një ftesë publike u bëhet direkt qytetarëve të marrin pjesë në arenën ku fatet e tyre humane, tepër njerëzore, tek ftohen të vështrojnë nga afër-larg moralet politike; ku njëmendtë viktima është vetë publiku. Një arenë ku bindjet nuk përfundojnë asnjëherë.
Nga kjo farsë e stërgjatur kemi parë që, vetëm politika shqiptare mund të triumfojë mbi të drejtën e racës dhe shpirtit të lirë, e madje, triumfon vertikalisht edhe mbi niaiserie allemande (gomarllëk gjerman). Duhet të jetë një lojë e shpikur në terren me anë të drejtëzave të moralit politik shqiptar, moral ky që ka aftësinë e mundshme për t’u mund të shndërruar në diçka të jashtëzakonshme, pra në diçka të brendshme hyjnore për të gjitha interesat e përgjithshme të shoqërisë. Që do të thotë politikisht dhe moralisht e ndihmon llojin e racës mondane ose atë mjerane.
Së fundmi, është tejet e rëndësishme dhe e përsosur për masën civile që kultura të nis prej vendit të duhur, dhe ta frenojë moralin politik që na gërryen në heshtje, veçse me frazë e përpjekje demagogjike kundrejt të gjithëve. Aty kundrejt të gjithëve jemi ne populli, zoti i tyre. Është mëkat i pazëvendësueshëm të mbahet peng një popull i denjë për hir të këtij morali të rrejshëm që po ua përplas në mënyrë jo njerëzore të gjitha shijet e tyre fisnike për muri. Vendi i duhur për ta mënjanuar këtë moral politik ka vetëm një metodë pragmatike; ai është shpirti ose mendja progresive, pse jo revolucionare që nxjerr në shesh njohjen e vërtetë, dedikuar këtij realiteti njerëzor.