English

Mbyllet tryeza e partive, dështon marrëveshja

Tiranë, 29 mars, NOA – Ka përfunduar pak minuta më parë tryeza e partive politike parlamentare për zgjedhjet e 8 majit. Në përfundim të saj palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet e mëparshme. Partia Demokratike paraqiti një draft marrëveshje për të bashkëpunuar me forcat politike në funksion të zbatimit të ligjit. Ndërkohë që Partia Socialiste ka kërkuar që në këtë draft të shtohen dhe tre kërkesat e saj; listat e zgjedhësve, verifikimin e kartave të identitetit dhe transparencë për periudhën pas zgjedhore.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-ë, Gramoz Ruçi kërkoi kohë për të shqyrtuar draftin me ekspertë dhe për të kthyer më pas një përgjigje. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi u shpreh se nesër në orën 11 marrëveshja duhet të firmoset dhe ka ftuar opozitën.

“Duke falënderuar gjithë pjesëmarrësit në tryezë unë propozojë që ne të vendosim ditën e nesërme në të njëjtën orë, kohën kur të nënshkruhet një marrëveshje e cila ka të bëjë me angazhimin e forcave politike për proces zgjedhje të ndershme. Kjo kohë mendoj se është e mjaftueshme që ekspertët të japin mendimet e tyre”, tha astrit Patozi.

Nga ana tjetër Ruçi ka këmbëngulur në zhvillimin e një negociate gjatë 24 orëve, në nivel ekspertësh për të përfaruar qëndrimet e PD dhe PS në lidhje me marrëveshje. Ai u shpreh se do të ishte e kotë zhvillimi i një takimi të nesërm pa rishikuar dokumentin e marrëveshjes që mban firmën e PD.

“Të gjithë jemi tepër të angazhuar për zgjedhjet. Por, nuk do të donim që të bënim një ritual nesër, nëse nuk arrihet nga negociatat mes palëve, po na kërkohet të harxhojmë dy orë të tjera. Përfaqësuesit ynë me atë tuaj të ulen, nëse qëndrimet përafrojnë jemi gati të ulemi në tryezë”, tha sot Ruçi.

Ndërkohë që Patozi ka shtuar se u shpreh se “ora 11 do të jetë ora e nënshkrimit të kësaj marrëveshje. Nëse ju keni vullnet për ta nënshkruar mund ta bëni, nëse nuk e bëni, ky nuk është problemi jonë”.

Nga ana tjetër kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka kërkua kohë për të analizuar dokumentin. “Është normale që një dokument serioz do të paktën 2 lexime. Një material që na u dha para një orë do të ishte shou po të pranohej menjëherë. Nuk mund të kemi dy standarde”, tha Dule.

a.k/NOA

KOMENTE