English

Në 31 mars buxheti i Kosovës merr përgjigje në seancë

Prishtinë, 29 mars 2011, NOA- Për herë të dytë, më 31 mars zbret në seancën e parlamentit, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011.

Ka qenë ky vendimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Vendimin për procedim më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin, nga sa e parasheh Rregullorja e Kuvendit, Kryesia e ka marrë pas vlerësimit të urgjencës së çështjes dhe pas raportimit në Kryesi të kryetares së Komisionit për Buxhet dhe Financa, znj. Safete Hadërgjonaj, e cila ka pohuar se Komisioni është në përfundim të amendamentit të Projektligjit për Buxhetin.

Nga ana e tyre, anëtarët e Kryesisë, kanë kërkuar që edhe kurse tri komisionet e tjera të përhershme (Komisioni Legjislativ, ai për Interesat e Komuniteteve dhe Komisioni për Integrime Evropiane), punën rreth këtij projektligji ta përfundojnë gjatë ditës së mërkurë, në mënyrë që materiali sa më parë t’u shpërndahet deputetëve.

Po në këtë mbledhje anëtarët e Kryesisë e kanë ngarkuar Komisionin për Legjislacion të përgatisë raportin me rekomandime lidhur me Raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2011.

a.y/NOA

KOMENTE