English

Nikolla: Luli një mini-Sali, ofron varfëri e papunësi

Tiranë, 29 mars 2011, NOA - Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën është thjesht një miniSali që s’mund t’i ofrojë asgjë më shumë kryeqytetit se shefi i tij, që e ka katandisur në varfëri e papunësi Shqipërinë. Kështu iu drejtua banorëve të minibashkisë nr. 1 Lindita Nikolla, anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, njëherësh kandidate për këtë njësi në Tiranë.

Duke biseduar me banorë të kësaj njësie zonja Nikolla iu referua takimeve të kandidatit Lulzim Basha me banorët e Tiranës duke theksuar se “Si Ministër i Transporteve Luli do të mbahet mend për korrupsionin më të madh në historinë e Shqipërisë, vjedhjen e mbi 200 milionë Eurove në projektet rrugore pa projekt”.

“Si Ministër i Jashtëm Luli i Saliut do të mbahet mend si njeriu që tradhtoi kombin duke shitur detin. Dhe më e rëndësishmja, si Ministër i Brendshëm Luli do të mbahet mend si ekzekutori që pushkatoi katër shqiptarë të pafajshëm dhe përgjaku Tiranën”, tha Nikolla.

Kandidatja socialiste për minibashkinë nr. 1 tha se “Luli është zbatuesi i çdo urdhëri të Saliut. Luli është miniSaliu dhe ne s’do ta lejojmë ta katandisë Tiranën njësoj si ka katandisur Saliu Shqipërinë e shqiptarët”, deklaroi Nikolla.

mit/NOA

KOMENTE