Prishtinë, 29 mars 2011, NOA – Nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare të Kosovës ishte lajtmotiv i takimit të sotëm të Zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi me kryetarët e komunave të Kosovës. Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar dhe kryesuesi i Komisionit Qendror për Regjistrimin, Rifat Blaku.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka njoftuar kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës për përgatitjet që Qeveria e Kosovës ka bërë për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Komisionit Qendror për Regjistrim dhe Entit të Statistikave të Kosovës, si institucione qendrore që do të implementojnë këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës e vlerëson regjistrimin e popullsisë si një nga aktivitetet më të rëndësishme të shoqërisë kosovare pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha Kuçi gjatë takimit.
Sipas tij roli i komunave në mbarëvajtjen e këtij procesi është shumë i madh.
Zëvendëskryeministri i Kosovës bëri me dije se “Grumbullimi dhe seleksionimi i të dhënave në terren do të kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve lokale në komunat e Kosovës”.
Në këtë kontekst zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi u kërkoi kryetarëve të komunave të ushtrojnë autoritetin e tyre për mbarëvajtjen e këtij procesi në terren.
mit/NOA