English

“Terr informativ” për bisedimet me Serbinë

“Arsyet janë të shumta, por në pamje të parë kryesorja duket të jetë se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur opinionin e këtushëm publik, përfshirë edhe Kuvendin, opozitën e madje edhe një pjesë të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, në një lloj “terri informativ” rreth gjithë procesit të bisedimeve me Serbinë”...

Nga Agron Bajrami

Derisa ulja e Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviçit në tavolinën e bisedimeve, në Bruksel, u përcoll me një mori reagimesh pozitive nga ana e pjesës perëndimore e demokratike të asaj që e kemi zakon ta quajmë bashkësi ndërkombëtare, te publiku i Kosovës dialogu i nisur “teknik” është pritur me një dozë të madhe të mosbesimit, e madje edhe kundërshtimit të hapur.

Arsyet janë të shumta, por në pamje të parë kryesorja duket të jetë se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur opinionin e këtushëm publik, përfshirë edhe Kuvendin, opozitën e madje edhe një pjesë të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, në një lloj “terri informativ” rreth gjithë procesit të bisedimeve me Serbinë.

“Adeti” i Thaçit që të vendosë “monopol” në pothuaj të gjitha proceset prej se Kosova e ka shpallur pavarësinë, më 17 shkurt 2008, krijon opozitë gjithnjë e më të madhe ndaj gjithçkaje që bart vulën e tij, ndërsa parregullsitë e mëdha në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe mënyra skajshmërisht problematike me të cilën Thaçi e arriti votimin e Presidentit të ri të Kosovës, Behgjet Pacollit, për t’i siguruar vetes mbetjen në pushtet, vetëm sa e ka shtuar numrin e njerëzve që nuk mendojnë se ky është Kryeministri që i duhet Kosovës.

Por, kundërshtimi i Thaçit deri më tani është treguar një punë Sizifi; përkundër të gjithave, Kryeministri i Kosovës ka përkrahjen edhe të Brukselit edhe të Uashingtonit. Ai statusi i tij i të preferuarit nuk është lëkundur as me raportet e ndryshme negative sikur që ishte ai i Dick Marty-it, andaj Thaçi edhe më tej ka rolin kryesor kur bëhet fjalë për Kosovën, sepse, për Perëndimin, ai ende është njeriu i duhur i cili e kryen punën.

Ndërsa, dialogu, para së gjithash, është një punë që duhet kryer. Për këtë arsye, më 8 mars, e dërguara e Thaçit, zëvendëskryeministrja e sapoemëruar Tahiri, qetë është ulur në tavolinën e bisedimeve/negociatave, me të dërguarin e Tadiçit, Stefanoviçin, edhe pse në Kosovë askush nuk e dinte axhendën dhe qëllimin përfundimtar të dialogut, ndërsa Parlamenti me votat e partive në pushtet, mezi ka miratuar bisedimet, madje dy ditë pasi ato tashmë kishin filluar, më 10 mars. E tërë opozita, e cila në këtë moment paraqet shumicën e votuesve shqiptarë në Kosovë, ka qenë kundër nisjes së dialogut në këtë mënyrë.

Thaçit, natyrisht, i ka ndihmuar edhe angazhimi i Brukselit, i cili është “munduar” që procesin ta shpjegojë me deklarata sa më të shkurtra e më të përgjithësuara për integrimin evuropian e të dyja vendeve dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve të rëndomtë si qëllime të dialogut.

Por, pjesa më e madhe e informatave joformale – atyre që zakonisht më saktë e tregojnë se në cilën shkurre vërtet gjendet lepuri – na bëjnë me dije se dialogu ka tri qëllime.
Së pari, ai duhet t’i ndihmojë Serbisë që deri në fund të vitit të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kjo, vetvetiu, për Kosovën nuk do të paraqiste kurrfarë problemi, nëse Brukselit edhe Prishtinës do t’i hapte një rrugë po aq të qartë drejt Europës.

Qëllimi i dytë i dialogut është që ai të shërbejë për të mbuluar dështimet e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, para së gjithash EULEX-it. Si të interpretojmë ndryshe se me këto bisedime, mes tjerash, do të duheshin zgjidhur çështjet në mesin e të cilave janë edhe disa për zgjidhjen e të cilave tash 12 vjet përgjegjësinë ekskluzive apo më të madhe e kanë pasur dhe ende e kanë misionet ndërkombëtare në Kosovë, prej UNMIK-ut e KFOR-it, deri tek EULEX-i e ICO-ja, sikur që janë ekzistimi i asaj që edhe Kombet e Bashkuara në dokumente e tyre zyrtare i quajnë institucione ilegale paralele serbe në Kosovë.

Dhe, qëllimi i tretë – që ndoshta është edhe më i errëti nga i tërë ky rrëfim – është që me referencat “teknike” të mbulohet apo edhe fshihet e keqja e madhe që gjendet në esencën e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, mes shqiptarëve dhe serbëve. Sepse, mos ta gënjejmë veten, nuk janë grindur Kosova e Serbia për një livadh apo disa hektarë tokë jopjellore, diku në kufi. Nuk do të bëhet e kaluara jonë më e bukur nëse sot bisedojmë duke aktruar se asgjë nuk ka ndodhur dje. Përkundrazi, premisë e secilit pajtim të vërtetë është diskutimi i krimit nga e kaluara dhe pavarësisë së Kosovës si pasojë logjike dhe të drejtë të kësaj, ashtu që t’u hapim rrugë bisedimeve të mundshme për çështje “teknike”.

* * *

Por, sikur që e thashë, dialogu, përkundër kësaj, ka nisur, dhe Kosova tani, me vullnetin e qeverisë së saj, është vendosur para një akti pothuaj të kryer. I pëlqeu kjo dikujt apo jo, pyetja më nuk është nëse do të bisedojmë, por nga mund të na shpijnë këto bisedime.

Në këtë kuptim, dialogu ndoshta është edhe i mirëseardhur për Kosovën, për një arsye: ai ka aktivizuar një debat të brendshëm, politik e shoqëror, i cili, shumë shpejt do të mund të lindë një alternativë për pushtetin, e me këtë edhe një definim më kualitativ të asaj që Kosova, në fakt, dëshiron të arrijë në raport me Serbinë dhe Bashkimin Europian.

Sepse, nëse mënyra sesi Kryeministri Thaçi e ka futur vendin në këtë proces, pa konsensus të brendshëm dhe në këtë kohë, është e papranueshme, e për disa madje edhe fyese, koha nuk mund të kthehet mbrapsht, andaj pyetja që sot shtrohet para Kosovës nuk është sesi të pengohet ky dialog, por a mund të kthehet ai në një drejtim tjetër, i cili Kosovës do të mund t’i sillte progres pozitiv.E ajo lëvizje mund të jetë pozitive vetëm nëse qartë formulohen qëllimi dhe pritjet nga dialogu.

Debati momental rreth dialogut në Kosovë është kaotik, sepse është shkaktuar me nisjen e shpejtë të bisedimeve, e cila shumëkënd në politikën e brendshme e ka zënë në befasi, meqë e tëra po ndodh në prapavijën e diskutimeve ende të gjalla e të tensionuara rreth zgjedhjeve problematike parlamentare dhe votimit të kontestuar të Pacollit, për të cilën gjë, deri në fund të muajit prill, do të duhej të deklarohej madje edhe Gjykata Kushtetuese. Anulimi i mundshëm i zgjedhjes së Presidentit do të mund të ishte pengesa e parë për vazhdimin normal të dialogut, andaj njëlloj “ngrirjeje” e bisedimeve është e mundur shumë shpejt, për disa muaj.

Ndërkohë, diskutimi rreth bisedimeve me Serbinë sipas të gjitha gjasave do të shndërrohet në kërkim substancial të një konsensusi të brendshëm për temat, qëllimet dhe kornizën e dialogut, me presionin në rritje ndaj Thaçit që të heqë dorë nga diktati, dhe t’u nënshtrohet kërkesave për hapje të diskutimeve rreth dialogut.

Një debat i tillë duket i pashmangshëm, sepse dialogu, shikuar nga perspektiva kosovare, është një kullë prej letrash, rrënimi i së cilës është i mundur në më shumë mënyra, jo ekskluzivisht përmes presionit dhe rrënimit të qeverisë në Kosovë. Mundësia tjetër do të shfaqet nëse jo gjatë verës, atëherë qysh në vjeshtën e hershme, kur dialogu të nisë të kalojë nga temat “e buta” në ato “të forta”, prej të cilave “më e forta” është ajo që do të hapet rreth veriut të Kosovës.

Duket e pashmangshme që, në një moment, dialogu të shndërrohet më tepër në problem sesa zgjidhje. Por, kjo pasojë logjike e mënyrës se si këto bisedime kanë nisur – në Kosovë duke injoruar shumicën e madhe, në Serbi me një mungesë të pabesueshme të interesimit të opinionit publik, ndërsa në Bruksel me një axhendë në dukje “konspirative”, e cila zyrtarisht nuk ekziston, e jozyrtarisht e pranojnë se e kanë, dhe se implementimi i suksesshëm i saj, në një moment, do të thotë se zgjidhjet e arritura përmes dialogut mund të përcillen edhe me ndryshime ligjore, e ndoshta edhe kushtetuese, edhe në Kosovë, edhe në Serbi.

Për më tepër, çështja e ridefinimit shumë lehtë do të mund të shtrohet edhe nga vetë BE-ja, sepse, në një moment shumë logjikshëm do të shtrohet pyetja se deri në cilën masë në realitet është e mundur të zbatohen zgjidhjet nëse kjo është në kundërshtim me vullnetin e shumicës së popullit.

* * *

E gjithë kjo çon në konkludimin se dialogu i nisur është një proces që nuk mund të ndalet, por që lufta e madhe, për Kosovën, në fakt, do të jetë rreth definimit të ri të qëllimeve dhe të formës së dialogut.

Dhe kjo do të duhej të nënkuptonte tri gjëra themelore. Së pari, është shumë mendjelehtë nga ana e BE-së dhe Serbisë të mendojnë se për sukses mjafton të kesh Thaçin dhe pajtimin e tij në tavolinë. Së dyti, është e pakuptueshme të bisedohet nëse nuk është e qartë se çka mund të fitojë dhe çka nuk mund të fitojë secila palë në fund. Dhe, së treti, se pajtimi historik dhe i vërtetë mes dy vendeve, dhe dy popujve, është i pamundur duke e fshehur të vërtetën për të kaluarën dhe historinë e re.
Gjithçka tjetër është një kullë prej letrash.

*Kjo analizë e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” , Agron Bajrami është botuar në shtojcën e posaçme kushtuar dialogut Kosovë-Serbi të së përjavshmes beogradase NIN

KOMENTE