Tiranë, 29 mars 2011, NOA- Kryeparlamantarja Jozefina Topalli gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në BE, Stefano Sannino.
Gjatë bisedës me të kryetarja e Kuvendit e informoi zotin Saninno për zhvillimet pozitive brenda Parlamentit, ndryshimet e Rregullores dhe efektet pozitive që kanë patur në debatin parlamentar.
Më tej duke ju referuar opozitës dhe rrugës së ndjekur nga ajo, Topalli shtoi se bojkoti i Parlamentit i përket së kaluarës.
Ajo e informoi zotin Saninno po ashtu mbi vendimin dhe votimin në Parlament për kufizimin e imunitetit, si shprehje e vullnetit dhe e vendosmërisë së mazhorancës në plotësimin e këtij prioriteti.
Ndër të tjera ajo theksoi edhe rëndësinë që ka angazhimi i sinqertë dhe vullneti politik i drejtpërdrejtë i partive politike për integrimin.
Gjatë këtij takimi Kryeparlamentarja Topalli tha se, “Në rrethanat që kalon Shqipëria, refuzimi për të votuar ligjet me votë të cilësuar, refuzimi për të përdorur instrumentet e kontrollit parlamentar, nga cilido që të vijë, mund të shpjegohet vetëm me mungesën e vullnetit politik për t’i shërbyer integrimit. Koha kërkon që politika, vullnetin pozitiv, ta demonstrojë me veprime direkte”.
a.y/NOA