Trieste, 29 mars 2011, NOA - Mëngjesin e sotëm një operacion i policisë italiane ka vënë në pranga një bandë që trafikonte drogë. Mes 9 personave të arrestuar, 5 janë qytetarë shqiptarë. Ndaj shqiptarëve rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se banda italo-shqiptare akuzohet se ka sjellë në Itali nga rrugët detare të Shqipërisë me dhjetëra kilogramë kokainë dhe heroinë. Ndërkohë që një tjetër linjë e përdorur ka qenë dhe ajo e kufirit me Zvicrën dhe fqinjët e tjerë të Italisë.
Sipas policisë italiane shqiptarët transportonin drogë me makina nga Spanja dhe Hollanda.
Kreu i bandës është arrestuar gjatë muajit tetor.
Agjentët e policisë janë shtirur si trafikantë dhe kanë kërkuar blerjen e një kilogrami kokainë.
Qytetarët shqiptarë të arrestuar mëngjesin e sotëm janë ndërmjet moshës 20 dhe 30 vjeç. Për arsye hetimi, policia e Triestes nuk i ka bërë të ditur emrat e të arrestuarve.
Ata e kryenin aktivitetin kriminal në Trieste, Venecia e Trevizo.
Bashkë me një sasi droge atyre iu sekuestrua edhe një pistoletë e kalibrit 7.65.
Për zhvillimin e operacionit janë vënë në lëvizje 70 agjentë italianë.
a.k/NOA