English

Waleed Al Tabtabaei, Berishës: Kuvajti po punon për njohjen e Kosovës

Tiranë, 29 nëntor 2011, NOA – Anëtarët e parlamentit kuvajtian që vizitojnë Tiranën siguruan Kryeministrin Sali Berisha se Kuvajti po punon intensivisht për njohjen sa më të shpejtë të shtetit më të ri europian, Republikës së Kosovës. Delegacioni kuvajtian i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt, Waleed Al Tabtabaei duke paralajmëruar një vizitë edhe në Kosovë, vlerësoi lart rrugën e kombit, të cilën e quajti një vepër madhështore që do t’i shërbejë zhvillimit e rritjes së shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve, por edhe bashkëpunimit në rajon.

Kryeministri Sali Berisha i falenderoi përfaqësuesit e lartë të Kuvajtit për mbështetjen që i japin çështjes së Kosovës dhe shfrytëzoi këtë rast për t’i përcjellë përshëndetjet e përzemërta Emirit të Kuvajtit dhe Kryeministrit.

Në qendër të takimit ishin edhe marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë e Kuvajtit si dhe zgjerimi i investimeve në Shqipëri.

Gjatë takimit me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt, Waleed Al Tabtabaei dhe delegacionin nga parlamenti i Kuvajtit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvajtit dhe për ndihmën e çmuar, në shumë sektorë të rëndësishëm.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe u shpreh gatishmëria për intensifikimin e tyre në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha vlerësoi punën e shkëlqyer të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kuvajt dhe kontributin e vyer në forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Në këtë kontekst palët rikonfirmuan vullnetin për të konsoliduar dhe zgjeruar investimet e mëtejshme nga kompanitë kuvajtiane në Shqipëri.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për mundësitë e punësimit të qytetarëve shqiptarë në Kuvajt, si dhe të vendosjes së një linje ajrore direkt Shqipëri-Kuvajt e po ashtu edhe për zgjerimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve.

mit/NOA

KOMENTE