Tiranë, 30 mars 2011, NOA – Komisioneri për Zgjerimin në BE Stefan Fule rikonfirmoi në takimin me kryeministrin Sali Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE. Kryeministria ka zbardhur para pak minutash atë çka u bisedua sot mes kryeministrit Berisha dhe komisionerit Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri – KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.
Kryeministri Berisha e falenderoi Komisionerin Fule për mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë e po i jep qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në përpjekjet për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Shefi i qeverisë theksoi se “anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces”.
Në takim u Berisha dhe Fule diskutuan që Seminari i sotëm të pasohet nga konsultime dhe evenimente të tjera kontakti midis Shqipërisë dhe BE-së me qëllim ndjekjen dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara nga komisioni në Opinionin e tij.
Seminari do të konkludojë në një sërë masash afatshkurtra e afatmesme për përmbushjen e 12 kërkesave të Opinionit të KE-së dhe kërkesave të tjera të lidhura me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarisht.
Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet vendore të 8 majit.
Dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë që këto zgjedhje kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë.
Kryeministri e siguroi Komisionerin Fule se qeveria e tij është e angazhuar plotësisht për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare.
Shefi i qeverisë shqiptare uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.
mit/NOA