English

Hoxhaj: Buxheti të parashikonte më shumë mjete për lobimin për njohjet e Kosovës

Prishtinë, 30 mars 2011, NOA – Dy ditë para se të miratohet projektbuxheti i Kosovës për vitin 2011, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj raportoi sot në Komisionin për Punë të Jashtme lidhur me buxhetin për ministrinë që udhëheq. Ai bëri me dije se “nga 26 milionë euro, sa kishte kërkuar nga MPJ, asaj sivjet planifikohet t’i ndahen 18 milionë e 365mijë euro”.

Hoxhaj sqaroi se “shkurtimet buxhetore për këtë ministri, që përfshin edhe Shërbimin diplomatik dhe konsullor të Kosovës, janë bërë kryesisht nga heqja dorë për blerjen e ambasadave (pos për një parakontratë për blerjen e godinës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel) dhe rreth një milion euro më pak për mallra dhe shërbime.

Kryediplomati Hoxhaj u shpreh optimist se me buxhetin e parashikuar MPJ-ja do të arrijë t’i kryejë projektet e mëdha që e presin.

Por ai theksoi se “në të mirë të njohjeve më të shumta për Kosovën duhet duhej të parashikoheshin mjete më të shumta për evokim dhe lobim”.

Ministri deklaroi gjithashtu se dikasteri që udhëheq, është duke përgatitur Strategjinë për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, e cila do t’u bëhet e ditur edhe anëtarëve të këtij komisioni.

Hoxhaj, ndërkaq, duke e quajtur politikën e jashtme të vendit si interes shtetëror, është shprehur i gatshëm që në çdo moment të bashkëpunojë me Komisionin parlamentar dhe me të interesuar të tjerë për politikë të jashtme të suksesshme.

Kryetari i komisionit, Albin Kurti, i cili drejtoi takimin, i vlerësoi të pakta mjetet buxhetore për MPJ-në, përfshirjen e mangët të politikave të jashtme në planin qeverisë të ekzekutivit të vendit, si dhe specifikim të pamjaftueshëm të buxhetit të MPJ-së.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit e vlerësuan të pamjaftueshëm buxhetin për këtë ministri, duke kërkuar paga më të dinjitoze për pjesëtarët Shërbimit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, si dhe për stafin tjetër profesional të kësaj ministrie.

Ndërkaq komisioni parlamentar është pajtuar se pos pagave fikse për ambasadorët duhet të merret parasysh edhe kostoja e jetës në secilin shtet ku funksionojnë ambasadat tona. Po në këtë mbledhje Komisioni miratoi edhe planin e programin e punës për vitin 2011, i cili përfshin punët kryesore të Komisionit, si dhe afatin e përfundimit të tyre.

Plani i punës së Komisionit për Punë të Jashtme parasheh diskutim për inicimin e një marrëveshjeje mes Kosovës e Shqipërisë për përfaqësimin reciprok, shqyrtimin e Raportit të Ministrit të Punëve të Jashtme rreth njohjeve të reja, kontakte të vazhdueshme me misionet diplomatike në Kosovë etj.

Anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar të cekët plan-programin e punës dhe pasi e plotësuan atë me detyra shtesë e miratuan atë.

mit/NOA

KOMENTE