English

Kapen 8 kg marijuanë në bagazhin e autobusit

Gjirokastër, 30 mars, NOA – Arrestohet në flagrancë një person nga Lushnja pasi u kap me 8 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë.

Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së Gjirokastrës, ndërsa shtojnë se është sekuestruar në cilësinë e provës materiale lënda narkotike dhe është shpallur në kërkim një person nga Lazarati që e shiti atë ndaj poseduesit.

Fillimisht, forcat policore kishin marrë një informacion në rrugë operative se në një autobus të linjës Gjirokastër-Tiranë, kishte hipur një person i cili kishte një çantë-valixhe dhe brenda saj mund të kishte lëndë narkotike.

Menjëherë ato kanë bashkëpunuar me postbllokun i cili është i ngritur në dalje të qytetit Gjirokastër në afërsi të Viroit dhe aty kanë bërë ndalimin e autobusit ku nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në bagazh të tij, ishin disa çanta ku në njërën prej tyre u konstatuan disa pako të mbështjella me letër natriban me lëndë narkotike.

Menjëherë autobusi së bashku me rreth 40 pasagjerë është shoqëruar në ambientet e Policisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Aty u bë i mundur dokumentimin me prova ligjore të poseduesit të çantës dhe njëkohësisht të lëndës narkotike dhe konkretisht Iraklis Zografi, 34-vjeçar, lindur në Librazhd dhe banues në Lushnjë.

Rezultoi gjithashtu se ky person e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat, tek i njëjti që e kishin blerë edhe dy shtetasit e arrestuar gjatë dy operacioneve te dy ditëve të fundit.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE