English

Katër grekë vrasin një shqiptar tek Akropoli në Athinë, hetohet racizmi

Athinë, 30 Mars 2011 NOA – Një i ri shqiptar ka humbur jetën pasi u masakrua për vdekje pranë Akropolit në Athinë, nga katër të rinj grekë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja ka ndodhur sot herët në mëngjes, në rrugën “Miauli” të zonës Psiri, pikërisht pranë qendrës së famshme antike në Akropol.

Viktima, një emigrant shqiptar 21 vjeçar, është qëlluar me sende të forta dhe është lënë në rrugë duke dhënë shpirt.

Pak minuta më vonë, dërgimi në spitalin shtetëror të Athinës vetëm sa konfirmoi vdekjen e 21 vjeçarit shqiptar.

Policia duke mbledhur dëshmi mbi ngjarjen, tha se 21 vjeçari shqiptar më herët gjendej në një lokal nate pranë Akropolit, së bashku me një shok.

Në argëtim e sipër, dyshohet se i riu ka ngacmuar një vajzë e cila gjendej aty.

Më pas që të dy kanë dalë nga lokali, për të shkuar në shtëpi, pa e besuar kurrë se ç’mund t’u ndodhte.

Ata janë sulmuar me katër grekë të cilët i kanë qëlluar me thikë duke therur 21 vjeçarin, kurse shoku i tij ka marrë plagë joserioze për jetën.

Policia konfirmoi se katër grekët vrasës, kanë kryer aktin kriminal edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me vajzën dhe as me 21 vjeçarin dhe shokun e tij.

Ndaj policia po heton për një krim racist të nxitur nga incidenti mes njërit prej të rinjve dhe vajzës në barin e natës.

Vrasja ka ngjallur irritim në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë. Shumë prej tyre janë shprehur se ishte një ekzekutim i pastër racist. Për më tepër edhe policia ka pranuar në një komunikatë se viktima dhe autorët nuk kishin asnjë lidhje, njohje të mëparshme apo përplasje dhe për më tepër, ata ishin të armatosur kurse i ndjeri, i pambrojtur.

Lidhur me versionin që jep policia për vrasje në bashkëpunim nga katër grekët, të 21 vjeçarit, pasi ky i fundit ngacmoi një vajzë në lokalin e natës, edhe opinioni grek ka mbetur i dyzuar. Në vendin e ngjarjes ata kanë pohuar se nuk mundet kurrsesi për një incident në bar nate, të kryhet vrasje në grup jashtë saj.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE