Tiranë, 30 mars 2011 NOA – British Council dhe Banka Botërore shpallën javën e kaluar dhjetë fituesit e konkursit për një qeverisje më të mirë në Shqipëri. Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë, duke folur sot me mediat mbi këtë argument tha se procesi i seleksionimit u menaxhua nga British Council dhe përfshiu edhe një komision vlerësimi me përfaqësues të ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Lvovsky tha se u paraqitën 144 propozime, nga të cilat vetëm 50 u përzgjidhen për fazën e dytë dhe shtoi se ato u vlerësuan me shumë kujdes nga komisioni, i cili shpalli fitues vetëm 10 prej tyre.
Kurse vuri në dukje se “shumë prej anëtarëve të atij komisioni nuk e kishin idenë e emrave të partive politike në Shqipëri dhe as se si këto organizata mund të jenë politikisht të lidhura”
Qeveria e Shqipërisë do të zbatojë amnistinë fiskale për bizneset dhe individët. Cili është pozicioni i Bankës për këtë amnisti? Pyetja ime e dytë: në deklaratën tuaj ju përmendët që do të ketë një përshpejtim të shlyerjes së kredive që Shqipëria ka marrë gjatë këtyre 17 vjetëve nga IDA. Sa është shuma e këtyre kredive dhe pse nuk filloi më herët shlyerja, por vetëm në janar 2014? A ka lidhje kjo me borxhin, i cili është vlerësuar edhe nga Banka Botërore si problematik?
Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë: Më lejoni të filloj nga kjo e dyta. Pagesa e kredisë do të fillojë prej vitit 2014 si rezultat i negociatave për tu siguruar se kthimi i kredisë i përshpejtuar nuk do të fillojë menjëherë pas krizës financiare, e cila ka ndikuar për shembull performancën e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Kështu që deri në 2014 rritja ekonomike pritet që të rikthehet në nivelet e para-krizës. Shuma e kthimit të kredisë në vit do të varet nga viti kur fillon dhe nga opsionet e interesave të përzgjedhura nga qeveria. Për shkak se është një vlerë neto fikse e pagesës për një kohë të gjatë. Nga opsionet e përzgjedhura dhe përllogaritjet e kujdesshme të qeverisë me ndihmën e Departamentit tonë të Thesarit, shuma e rikthimit në bazë vjetore nuk është ndonjë shumë e madhe. Për këtë arsye është një balancë e mirë midis mundësisë së vendit dhe sigurisht pjesëmarrjes në një projekt të rëndësishëm botëror.
Për sa i përket amnistisë fiskale, kjo është çështja e ditës. Problemi qëndron në faktin se si do të zbatohet. Ajo që është më e rëndësishme është se procesi i aplikimit të amnistisë dhe përjashtimeve nga amnistia të jetë transparent dhe i besueshëm dhe të bëhet në mënyrë të pavarur. Është gjithashtu e rëndësishme që amnistia të bëhet në mënyrë të tillë që të minimizojë dëmin moral. Dëmi moral është një nocion me kuptimin se ti mund të mos i bindesh ligjit, të mos paguash taksat dhe asgjë nuk do të ndodhë, nuk do ndëshkohesh dhe mund t’ia hedhesh pa lagur. Për të shmangur këtë, është e rëndësishme që rastet e reja të sjelljes që kanë përfituar nga amnistia më parë, të bëhen të pamundura nëpërmjet një kombinimi të masave ligjore të zbatueshme dhe ndëshkuese dhe stimujve që inkurajojnë një sjellje financiare të përgjegjshme si nga individët ashtu dhe kompanitë.
Një pyetje për mungesën e Gjykatës Administrative, për të cilën opozita nuk e jep konsensusin e saj për miratimin e këtij ligji, gjë e cila dëmton bizneset dhe individët. Ky është një ligj që kërkon 3/5 e votave të parlamentit për t’u miratuar. Cili është komenti juaj për opozitën?
Unë nuk mund të bëj komente në lidhje me pozicionin e çdonjërës prej partive politike. Unë besoj dhe e kam shprehur edhe më parë këtë pikëpamje se rivendosja e dialogut dhe bashkëpunimit politik është kritike dhe e rëndësishme për një sërë iniciativash politike, të cilat Shqipëria duhet t’i ndërmarrë. Dhe unë vërtet shpresoj se ky dialog dhe bashkëpunim të rivendoset në të ardhmen, por sa më parë të ndodhë kjo aq më mirë do të jetë.
Ka pasur një reagim nga Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila ka denoncuar se Banka Botërore ka dhënë 10 projekte, 5 prej të cilave ju janë dhënë Partisë Socialiste, domethënë fituesit kanë qenë Erion Veliaj, Ditmir Bushati në prag të fushatës elektorale. Sa transparente ka qenë përzgjedhje e këtyre projekteve?
Më tej, një organizatë, pjesë e Bashkisë së Tiranës ka marrë 1 milionë dollarë fond nga Banka Botërore. Organizata fituese e cila bën transparencën e Bashkisë së Tiranës. Sa transparente kanë qenë procedurat e përzgjedhjes së kësaj organizatës?
Ju lutem a mund ta sqaroni pyetjen e parë? Për çfarë projektesh e keni fjalën?
Për projektet e dhëna nga British Council dhe Banka Botërore.
Kjo është aktualisht ajo që përmenda më parë. Javën e kaluar British Council dhe Banka Botërore shpallën dhjetë fituesit e konkursit për një qeverisje më të mirë në Shqipëri. Procesi i seleksionimit u menaxhua nga British Council dhe përfshiu edhe një komision vlerësimi me përfaqësues të ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare. U paraqitën 144 propozime, nga të cilat vetëm 50 u përzgjidhen për fazën e dytë. Ato u vlerësuan me shumë kujdes nga komisioni, i cili shpalli fitues vetëm 10 prej tyre. Mendoj se shumë prej anëtarëve të atij komisioni nuk e kishin idenë e emrave të partive politike në Shqipëri dhe as se si këto organizata mund të jenë politikisht të lidhura. Prandaj ka qenë absolutisht një proces i pavarur, i bazuar mbi meritat e propozimeve. Përsa i takon kohës, kjo lidhet me ecurinë e proceseve tona. Ne e shpallëm këtë konkurs në dhjetor dhe qysh atëherë e shpallëm se fituesit do të njoftoheshin në mars. Një shtysë tjetër vjen edhe nga burimet tona të financës, sepse ne e mbyllim vitin fiskal në fund të Qershorit dhe data e zgjedhjeve nuk është marrë në konsideratë. Fondet do të kalojnë pas zgjedhjeve, dhe janë shpallur vetëm fituesit tashmë.
Për pjesën e dytë të pyetjes në lidhje me Bashkinë e Tiranës, që ka të bëjë me një grant japonez për fuqizimin e të rinjve dhe për t’i ndihmuar ata me mundësi punësimi nuk ka pasur ende ndonjë përzgjedhje OJQ-sh për përdorimin e fondeve për këtë projekt. Procesi i selektimit vazhdon dhe kur të përfundojë do të njoftohet. Ka pasur dhe disa informacione në media këto ditë për lidhje politike në përzgjedhje, por selektimi sic ju thashë nuk është bërë, pra këto informacione janë thjesht keqinformime.
Por kjo organizatë është ajo që ka bërë edhe transparencën e Bashkisë. Sa transparent ka qenë ky proces.
Procesi i përzgjedhjes po vazhdon. Edhe një herë, ky është një proces transparent dhe i hapur dhe për përdorimin e fondeve tona ne i ngarkojmë me përgjegjësi agjencitë zbatuese për të zbatuar rregullat tona.
Ju përmendët që shqiptarët duhet të jenë krenarë për vetën e tyre. Në fakt shqiptarët janë krenarë kur ata renditen në vendin e dytë nga fundi përsa i takon nivelit të varfërisë në rajon. Cila është lidhja mes të qenit krenar dhe këtij niveli varfërie në të cilin ndodhet Shqipëria?
Mund të thuash gjithmonë se gota është gjysmë plot ose gjysmë bosh. Duke u nisur nga fakti se si e nisi rrugëtimin e saj Shqipëria 20 vjet më parë, mendoj se progresi ka qenë shumë i madh. Dhe shqiptarët mund të jenë krenarë për vendin e tyre, për veten e tyre dhe për të gjitha ato që kanë kaluar dhe për të gjitha ato vuajtje që kanë duruar. Të dytët nga fundi, nëse krahasoni veten me një rajon shumë herë më të begatë. Nëse shikoni Evropën dhe Azinë Qendrore ju nuk jeni të dytët nga fundi. Ka vende shumë më të varfra në Azinë Qendrore për shembull si Moldavia. Por progresi që ju keni bërë, duke kaluar nga vendi më i varfër në botë në një vend me të ardhura mesatare me më pak se 20 vjet është absolutisht një arritje e mrekullueshme, për të cilën të gjithë duhet të jenë krenarë.
A nënkupton kjo se gjithçka është bërë tashmë?
Jo. Ka një axhendë shumë të rëndësishme përpara nesh dhe kjo është arsyeja pse po ju kërkojmë partive politike të rivendosin dialogun dhe bashkëpunimin në mënyrë që progresi i arritur deri tani të vazhdojë dhe të mos ngadalësohet.