SHBA , 29 mars, NOA - A duhet të mësojnë nxënësit në shkolla muzikën Rock and Roll? Themeluesit e një programi muzikor të titulluar “Shkolla e muzikës rock” besojnë se po. Le të ndjekim materialin e mëposhtëm për një shkollë ku fëmijët mezi presin të shkojnë.
Adoleshentët në një klasë në rrethinat e Virxhinias nuk bëjnë thjesht prova për kënaqësi. Ata janë pjesë e Shkollës së Muzikës Rock, një program muzikor jashtëshkollor.
Kjo shkollë është një kompani private që ka programe në pothuajse 70 shkolla në gjithë Shtetet e Bashkuara. Në këto klasa, fëmijët mësojnë një instrument që e kanë zgjedhur vetë. Po ashtu ka edhe klasa kantoje. Lëvizjet ritmike janë diçka që e mësojnë vetë.
Emili Voles po merr mësime për t’u bërë këngëtare rock.
“Unë nuk kam interpretuar kurrë më parë kështuqë sot është hera e parë për mua. Më pëlqen të interpretoj para publikut, por deri kur erdha këtu nuk e dija sa më pëlqente të interpretoja”. Kaila Haston thotë se të dy prindërit e saj donin që ajo të hynte në këtë shkollë. “Prindërit e mi kur u futa në këtë program ishin shumë të entuziazmuar. Babai më kishte inkurajuar vazhdimisht që të hyja dhe mamasë i pëlqen shumë”.
Çmimi për këtë program është 275 dollarë në muaj. Për fillestarët kjo përfshin një orë mësimi private dhe një provë në grup çdo javë. Shkolla jep edhe orë mësimi për nivelin e avancuar. Mësimet jepen nga muzikantë profesionistë. Branden Mijares thotë se para se të merrte pjesë në këtë program, ai ishte i interesuar vetëm për lojrat elektronike.
“Unë nuk kisha mësuar asnjë lloj instrumenti muzikor derisa shkova në klasë të shtatë. Përpara merresha vetëm me lojra elektronike.”
Branden thotë se nuk po mëson thjesht muzikë. “Fillon ta njohësh më mirë veten nga brenda. Unë studioj deri vonë dhe filloj të luaj variacione që nuk i kam bërë kurrë më parë. Muzika më ndihmon të kuptoj se çfarë po ndjej vërtet”. Kris Eduards, një tjetër kitarrist ka të njëjtën ndjesi. “Duke ardhur këtu dhe duke interpretuar me njerëz të tjerë, unë fillova të mësoj si të kënaqem. Më parë unë isha i tërhequr dhe i ndrojtur, por pasi erdha këtu fillova të zbavitem”.
Por për Kris Murhed, baterist dhe këngëtar, Shkolla e Muzikës Rock është shumë më tepër se kaq. Ai thotë se shkolla e ndihmoi të kapërcente një periudhë shumë të vështirë. Motra e tij vdiq nga leuçemia para 10 vjetësh. Ai thotë se në fillim filloi të dëgjonte muzikë dhe ishte shumë i trishtuar, por pak nga pak filloi të mësonte të interpretonte dhe të këndonte dhe kështu arriti të kapërcente atë periudhë.
Një vit më parë Kris u diagnostikua me kancer dhe shkolla e muzikës është bërë si terapi për të. Ai e quan shkollën e muzikën një frymëzim dhe pjesë të jetës së tij dhe thotë se muzika i ka shpëtuar jetën.
NOA/VOA