English

Panairi i biznesit turk në Tiranë, kalendari i aktiviteteve

Tiranë, 30 mars, NOA - Dhoma e Tregtisë së Stambollit organizon nesër në Tiranë Panairin e 5-të. Në këtë panair i cili do të organizohet në Pallatin e Kongreseve nga datat 31 mars - 02 prill 2011 do të marrin pjesë rreth 60 kompani turke.

Ekspozita do të jetë në formatin e një panairi ku do të prezantohen produktet turke të eksportit. Dhoma e Tregtisë së ka 350 mijë anëtarë dhe është një ndër Dhomat e Tregtisë më të mëdha në botë.

Gjatë kësaj ekspozite në të cilën do të takohen bizneset turke dhe ato shqiptare do të zhvillohen këto aktivitete: Ekipi i përbërë nga tre kuzhinierë specialë të ardhur nga Turqia me mbështetjen edhe të “Restorant Sofra” në Tiranë do të prezantojnë për vizitorët kuzhinën tradicionale turke.

Grupi Folklorik Tuana i përbërë nga 10 valltarë, i cili vjen nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë do të performojë shfaqjet e tij direkt gjatë gjithë panairit.

Arti i punimit të xhamit të ftohtë nëpërmjet fryrjes do të prezantohet nga mjeshtri Nasuh Cömert i cili do të realizojë sende dhe gogla promocionale prej xhami të bëra me dorë.

Arti njëmijë vjeçar i pikturimit në ujë duke përdorur bojëra natyrale i quajtur Ebru, i cili paraqet dizenjime që e kalojnë imagjinatën njerëzore do të prezantohet për artëdashësit shqiptarë nga artisti Garip Ay.

Panairi ka si synim të takojë popullin turk dhe atë shqiptar jo vetëm në fushat tregëtaro-ekonomike por edhe në kulturë, art dhe kuzhinë.

NOA

KOMENTE