English

Rrëzimi i Pacollit, Kushtetuesja: Ndryshoni nenin 86 të Kushtetutës

Prishtinë, 30 mars 2011, NOA – Tri ditë pasi shpalli të pavlefshëm votimin për zgjedhjen e presidentit Behgjet Pacolli, Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin për rrëzimin e presidentit të Kosovës me faktin se neni 86 i Kushtetutës së Kosovës flet për zgjedhjen e më shumë se një kandidati, ndërkohë që për postin e presidentit të Kosovës, kandidonte vetëm Pacolli.

Gjatë mbledhjes së sotme Kushtetuesja e Kosovës rekomandoi se duhet ndryshuar neni 86 i Kushtetutës që flet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese është e mendimit se formulimi i nenit 86 të Kushtetutës duhet të ekzaminohet në tërësi. Interpretimi i nenit thotë se duhet të ketë më shumë se një kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim që procedura e votimit të vihet në lëvizje”, bën me dije Gjykata Kushtetuese.

Sipas Kushtetuese, në paragrafin 5 të këtij neni përcaktohet në mënyrë eksplicite se nëse 2/3-at e shumicës nuk arrihet nga asnjë kandidat në raundin e parë të votimit, atëherë, zhvillohet edhe një raund i tretë i votimit midis dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave gjatë raundit të dytë.

Gjykata Kushtetuese nënvizon shprehimisht se për më tepër neni 86.6 i Kushtetutës shprehet për më shumë se një kandidat, “Nëse asnjë nga kandidatët nuk zgjidhet”. Kushtetuesja përmendi edhe nenin 27 (4) dhe (5) të Rregullores së punës së Kuvendit, e cila përmban dispozita të njëashme.

mit/NOA

KOMENTE