English

“Shtëpia e verdhë”, padi Dik Martit për shpifje

Tiranë, 30 mars 2011 NOA – Akuzat e Dik Martit për trafik organesh në një banesë në Fushë Krujë që u përfol dhe si “Shtëpia e Verdhë”, janë bërë objekt i një padie civile për shpifje të bërë botërisht.

Padia është bërë nga pronari i banesës, Imer Brama dhe ai kërkon si dëmshpërblim moral dhe financiar, vlerën prej një milion lekësh.

Avokati i çështjes Brama, Roland Islami, tha se “kjo Është një padi për shkaktim dëmi, për rrethanat e rreme të paraqitura në këtë raport”.

Islami sqaroi se “kjo shtëpi nuk është dhënë ndonjëherë me qera tek të tjerët dhe as që bëhet fjalë që në të të jenë bërë transplante organesh”.

Në këtë mënyrë, deputeti zviceran që as shumë hodhi baltë mbi shqiptarët në të dy anët e kufirit, do të përballet më në fund me drejtësinë.

Familja Brama thotë se Marti ka hedhur shpifje të cilat kanë dëmtuar seriozisht imazhin e kësaj familjeje, në mënyrë të padrejtë dhe të rreme në raportin e 15 dhjetorit 2010.

Për shkak të këtij raporti të Dick Marty, ku përmendet se objekti ka qenë një ndër bazat e UÇK-së nga ku kryheshin transplante, paditësit theksojnë para gjykatës se ekspertimet dhe hetimet e kryera në banesën e tyre janë kthyer në një makth për familjen e tyre.

“Në raportin e tij, Dick Marty ia ka faturuar përgjegjësinë gjithë Shqipërisë me dashje të drejtpërdrejtë, por në koncept të ligjit dhe të së drejtës, indirekt është cënuar shtëpia e familjes Brama”, - tha avokati Islami.

Gjithë historia aludohet për një shtëpi të madhe dykatëshe, në fshatin Buraj në një nga fshatrat që ndan malësinë e Krujës me Tiranën.

Fshati ndodhet te komuna e Nikëlit, dhjetë kilometra nga rruga kombëtare, e cila të përcjell në Fushë Krujë.

Ky është fshati ku është ngritur një nga dyshimet kryesore për trafikun e organeve dhe që ka qenë i konfuzuar si vend për shkak të largësisë, por edhe të ngatërresës mediatike. Shtëpia është referuar fillimisht nga media sllave, e cila ka pasur si burim të parë Shërbimin e tyre Sekret BIA (UDB-ja e dikurshme).

Kjo shtëpi, është marrë si lajm nga imazhet e servirura nga kolegët e huaj dhe mendohet të ketë qenë një nga bazat kryesore të UÇK-së dhe pastaj dhe të pikave ku pretendohet të jetë bërë transplanti.

Por referenca është bërë e gjallë nga raporti i Dik Martit në mesin e dhjetorit të kaluar.

KOMENTE