English

Të vërtetat e fillimit të demonstratave historike të vitit 1981

Tendencat për shtrembërim të një historie të lavdishme

“Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën” (Ciceron)

Adonis Tahiri

Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, paraqesin një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptarë të Kosovës, dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Sipas analizave që u janë bërë këtyre demonstratave, vlerësohet se ato lëkundën fuqishëm themelet e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi.

Zhvillimet e mëtejme deri në çmontimin dhe shkatërrimin e plotë të kësaj krijese fantome, treguan për vizionin e qartë dhe rrugën e drejtë që kishte zgjedhur rinia dhe populli i Kosovës, për t’u çliruar një herë e përgjithmonë nga zgjedha shekullore serbo-sllave.

Edhe pse kanë kaluar plot 30 vjet nga kjo epope e lavdishme, që është një distancë kohore e mjaftueshme për të rënë në vend gjërat, ende nuk janë ndriçuar sa duhet shumë ngjarje që kanë të bëjnë me këto demonstrata. Gjatë kësaj periudhe kohore, ka pasur dhe ende po shfaqen tendenca për të minimizuar rolin e disa nga personalitet më meritore për organizimin dhe zhvillimin e atyre ngjarjeve, dhe për të përvetësuar meritat e tyre. Për më tepër, tentohet që të merren edhe meritat e dëshmorëve, të cilët kishin rolin prijës në këto demonstrata. Kështu ndodhi këto ditë. Me rastin e shënimit të 30 vjetorit të protestave të vitit 1981 nga Shoqata e ish të Burgosurve Politik të Kosovës, një zonjë me emrin Bahrije doli para mediave dhe tha “jam krenare që e para e theva pjatën në mensë më 11 mars”. Po të thoshte “isha njëra nga”, e jo “e para”, ky reagim i imi nuk do të bëhej.

Po theksojmë se tani botërisht është e njohur se në natën e 11 marsit të vitit 1981, ishte studenti Abdullah Tahiri nga Malisheva e Gjilanit, tani dëshmor i kombit, njeriu i cili me përmbysjen e tabakut të ushqimit në mensën e studentëve, inskenoi fillimin e këtyre demonstratave. Ka shumë dëshmitarë të gjallë të asaj kohe dhe dokumente që e faktojnë këtë akt.

Skenari i këtij aksioni politik ishte përgatitur paraprakisht nga grupi i tij, ku bënin pjesë Muhamet Pepshi nga Juniku, Hamdi Hajdini nga Presheva, Bajram Kosumi nga Kamenica, Riza Demaj, Ali Lajçi, Ibrahim Nikqi dhe Sylë Mujaj nga Rugova, dhe shumë e shumë të tjerë.

Pak ditë para 11 marsit, Abdullahu i tregon vëllait te tij Sabriut, për përgatitjet që janë duke i bërë ai me një grup shokësh, për organizimin e një proteste të fuqishme. Fillimisht, me pretekst të kushteve të vështira në qendrën e studentëve, e që më pas duhet të dilet edhe me kërkesa të qarta politike. “Është krijuar një situatë e tensionur në ambientet e konvikteve të studentëve, situata është para shpërthimit, por problemi është siç thotë populli ‘kush me ia ngjitë këmbanën maqorrit’, pra kush me e ndezë fitilin i pari. Duhet shfrytëzuar këtë potencial studentor për ta shkundur këtë krijesë të sëmurë të Ballkanit. Mendoj se është momenti i duhur për veprim. Unë provova me inskenue një protestë, gjoja për shkak të ushqimit të dobët në mensë, por këtë herë nuk më dhezi. Studentët po hezitojnë me i hy këtyre çështjeve sepse sigurimi serb është prezent në çdo anë dhe po përcillet çdo veprim yni”. Në të vërtet, Abdullahu ia kishte derdhur për fytyre pjatën me gjellë një kuzhiniereje serbe, që kishte shërbyer në mensën e studentëve, me ç’rast ishte krijuar një tollovi në mensë, mirëpo kishte mbaruar me kaq.

“Do të provojmë të organizohemi më mirë dhe ta bëjmë rrëmujë, e le të del ku të del, se më keq s’ka çka bëhet. Ia ndien krismën këto ditë”, i kishte thënë vëllait të tij pak pa u nisur për në Prishtinë.

Me të arritur në Prishtinë, Abdullahu mëson se kuzhinierja serbe e kishte denoncuar atë në polici, dhe se tanimë ishte i kërkuar nga sigurimi shtetëror. Me këtë rast, ai largohet nga konvikti numër 3, dhe shkon në mense duke e kërcënuar kuzhinieren se “në rast se dëshmon që unë bëra rrëmujë në mensë, do të kesh probleme me mua, se herëdo kurdo do të dal nga burgu”. Pas disa dite Abdullahu arrestohet nga disa inspektorë policie, dhe dërgohet në mensë. Në pyetjen e inspektorëve te policisë nëse është ky studenti që i ka derdhur pjatën për fytyre, kuzhinjerja u përgjigj: “dusha mi vala nisam sigurna, mislim da nije bio taj nego neki drugi” (shpirti më vlen, nuk jam e sigurt, mendoj se nuk ka qenë ky, por një tjetër). Kjo ndikoi që Abdullahu të lirohet dhe të vazhdojë përgatitjen për skenarin e ri që do të bëhej pas disa ditësh. Kështu ndodhi që më 11 mars, Abdullahu me shokët e tij e nisën demonstratën e “Pranverës së Madhe” të vitit 1981, duke përmbysur gjithçka në mensë.

Në filmin dokumentar kushtuar dëshmorit Abdullah Tahiri, për ngjarjen e 11 marsit flet studenti i atëhershëm, dr.Ukshin Ismajli: “..në mbrëmje në darkë, me një orkestrim të mrekullueshëm sa që.. vetëm njerëzit e mëdhenj dinë të orkestrojnë ato gjëra. Dhe, me të marrë tabakun Abdullah Tahiri, faktikisht merr dy tabakë në dorë dhe i përplas, e aty është fillimi i demonstratave të 81-shit, përplasja e pjatave në mensën e studentëve..”. Se Abdullahu ishte nismëtar i 11 marsit ’81, dëshmohet edhe në faqen 338 të librit “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”(TOENA, Tiranë, 2008), të shkruar nga Mehmet Hajrizi, ku thuhet se: ”Abdullahu është njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1981. Mbrëmja e 11 marsit atë e gjeti në mensën e studentëve, ashtu siç e kishte planifikuar. Ai me përmbysjen e tavolinës filloi shprehjen e pakënaqësisë dhe revoltës të studentëve. Abdullahu është njëri prej të parëve që kërkoi nga studentët që kërkesave ekonomike t’u bashkëngjisin edhe ato politike”. Ndërkaq, Noel Malkolm, në veprën e tij “Histori e shkurt e Kosovës”( New York Review of Books, 16 korrik 1998), përmend rastin e 11 marsit 1981 “..kur në mensën e studentëve një djalosh u rebelua dhe hodhi tabakun me ushqim për dysheme dhe kjo u bë pretekst për fillimin e demonstratave të vitit 1981, që ia lëkundën themelet e ish Jugosllavisë..”. Malkolm qëllimisht nuk përmend emër, në mënyrë që autori i kësaj ngjarje të mos ketë pasoja nga regjimi jugosllav.

Siç dihet, Abdullahu nuk u ndal me kaq, por bashkë me shokët e tij vazhdoi t’i organizojë edhe demonstratat e radhës, ato të 26 marsit dhe 1 e 2 prillit. Për rolin që pati në këto demonstrata, Abdullahu ka qenë disa herë i burgosur, por fal organizimit të mirë dhe qëndrueshmërisë së tij, në mungesë provash është liruar pas një viti qëndrimi në burgun hetues të Gjilanit.

Konsiderojmë se një ngjarje me aq peshë, siç është ajo e fillimit të demonstratave të marsit ’81, duhet të ndriçohet dhe argumentohet me fakte dhe dëshmi të pamohueshme, në mënyrë që meritat t’i takojnë autorit të vërtetë, i cili edhe i ka vuajtur pasojat, e jo dikujt anonim, që tani del dhe krekoset publikisht për diçka që nuk ka bërë.

Nuk ka asnjë dilemë se natën e 11 marsit, pas aktit që bëri Abdullahu, shumë studentë iu bashkëngjitën dhe ishin aktorë të kësaj ngjarjeje. Po ta bënte si i vetëm, nuk do të kishte efekt. Mes studentëve e studenteve të tjera që përkrahën këtë akt, mund të jetë edhe zonja Bahrije, por çështja është se kush ishte i pari dhe kush e planifikoi dhe organizoi tërë këtë skenar, kush vazhdoi të qëndrojë në ballë të demonstratave deri në fund. E kjo është e ditur, por vetëm duhet dëshmuar realisht gjenerata e asaj kohe.

Për më tepër, Abdullahu e ka dëshmuar veten si promotor dhe organizator i shumë ngjarjeve të mëvonshme, edhe në vitin 1989, e edhe në themelimin dhe organizimin e UÇK-së, si komandant i parë i Zonës Operative të Karadakut. Në mbledhjen për bashkimin e subjekteve politike të Gjilanit, më 17 qershor 1998, ai dha kushtrimin e njohur në Karadak, për t’i lënë partitë politike dhe për të bërë një bashkim të vërtet që quhet vetëm me një emër,”bashkimi i popullit të Kosovës rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Së fundi, mendoj se është kulmi i mjerimit, kur dikush mundohet të përvetësojë veprat e një dëshmori të kombit, një njeriu që i qëndroi besnik idealit për liri e bashkim kombëtar nëpër demonstrata, burgje e istikame, deri ne frymën e fundit. Vajza e tij sot mbanë emrin Republikë. Emër me të cilin Abdullahu e pagëzoi 20 vjet më parë, në kohën kur shumëkush nuk guxonte ta thoshte as vet me vete këtë fjalë.

KOMENTE