"Na e muarrëm vesh shpresën e Muratit, ditën kur doli në pension njëfarë Pilo… Pilo Korroveshi… Murati ia kishte pas vu synin atij vendi pune dhe mendonte me vete, se kur të dilte në pension Pilo, kryesia e kooperativës - tue e pa si shnetin e tij të lig, ashtu dhe duzinën e smundjeve që kishte mbledhë burgjeve, – karrocën e Pilos do t’ia linin atij. Tan ditën e lume Pilo Korroveshi transportonte… si me e thanë, bre burra, se nuk përmendet… me nder jush… fekale".
Nga Agron Tufa
Më qëlloi të gjej në një qokë, ndërmjet vizitorëve të njohur e të panjohur, edhe një shok burgu të babës tim. Pleqëria e thellë, përveç fishkjes e mpakjes së tipareve, e kishte rënduar edhe nga veshët. Me gjithë përqendrimin e vetëdijshëm ndaj kuvenduesve, shpesh nuk ia dilte me i kapë me herën e parë fjalët që i drejtoheshin. Dikur, i zënë në faj, tha se “pleqnia kishte nisë me i trokitë fort në derë e me ia kërkue plaçkat e veta”. Mbas rrufitjes së filxhanit, me dorën që i dridhej, shtoi: “E lus Zotin me ardhë një orë e ma para, me m’a marrë sefte at’ ma të randsishmen – viranen jetë, se sa kështu, me radhë, një ka një… gjumin, sytë, gojën, veshin e ma së mbrami, mendjen… Se pleqnia, or burra, asht smundje pa derman. E shumta mundet me u mbajt nën hyqëm, po s’ka heqim me e shnoshë krejt. Kadalë-kadalë edhe unë po ia lshoj rraqet e veta me rend: gjumin, gjunjtë e veshin. Inshalla Zoti ka me ma gjegjë lutjen e ka me m’a kputë orokun në nji dekik me mendjen”.
U bë heshtje. I zoti i sebepit ku ishim mbledhë u përpoq ta shmangte pahetueshëm atë kuvendim, duke e lavdëruar atë brez burrash të çeliktë të moshës së plakut, që panë, duruan e qëndruan me nder në kohët më të vështira. Mandej, i zoti i shtëpisë nisi të ankohet me brezin e vet e të tjerë më të rinj. “Se kur të mbërrijmë ne me kapë moshën tuaj, or mixhë…”. Por si duket, plaku ose nuk e dëgjonte dot, ose nuk deshte t’ia hupin kuvendimin. Ai iu drejtua një tjetri, që kishte qenë aty para mbërritjes sime:
- Or Alem! Mos kujto se nuk e ndiva atë haberin e fillimit… Edhe me veshin sakat, e kapa… Pra, Murat Sina paska ndërrue jetë… A m’thae kshtu?
- Para një jave, ditë e m’ditë or Sefë.
- Zoti e pastë pranue afër vetes…! – mërmëriti, duke rëkëllyer tespihet ngadalë. – Po mendojsha – habi e madhe – si paska pasë qenë gjallë, i lumi.
- Pse, a ka qenë ligsht me shnet or Sefë? Unë s’e kam mbërritë në të ritë e tij…
- Ti e di, mbas dy burgjeve – rrafsh 23 vjet – atij i dhanë pil n’internim në nji katund të Lushnjës. Nuk u kthye ma… nuk di si u vendue atje me familjet e persekutueme, herë në nji hotel, herë në do farë magazinash, por më patën thanë se e fitoi nji apartament… Qysh para 30 vjetësh, po ta kishe pa, kishe me thanë se aj grusht burrë, nuk e kap motmotin tjetër. Ai pak shtat njeriu, dukej sikur u kishte hapë vend mbrenda vetes të gjitha sëmundjeve të burgjeve e kampeve ku kishte bujtë. Me e pa, ishte njisoj si me kqyrë nji frut të rrudhun, të bremë e të ngranë përmbrenda prej krymash… Po kush i din punët e Zotit, se kur ia fik njeriut flakën e kandilit… Se kishte me rrnue kaq gjatë, as unë, as tjetërkush, e as ai vetë, s’kishte me zanë besë! Ata që e kishin njohë Muratin para burgut, thonë se kishte kuvet, sa me ua kacafytë me dy arusha mali e me i vu përfund… Po unë ka njohë, si duket, hijen e tij… Hijen e një burri sa bishti i shatit. Hijen e nji burri që, dita me ditë, hollohej e sosej mbas bishtit të shatit, prej kur ndate drita dheun, deri kur e mblote nata prapë. Po e kujtojsha me vete e qe, m’ra n’mend nji kohë e ligë n’internim, kur edhe Murati, rahmet gjettë i lumi, e ka pas nji shpresë; at’ shpresë matte e çmatte gjithë kohën e lume.
Na e muarrëm vesh shpresën e Muratit, ditën kur doli në pension njëfarë Pilo… Pilo Korroveshi… Murati ia kishte pas vu synin atij vendi pune dhe mendonte me vete, se kur të dilte në pension Pilo, kryesia e kooperativës - tue e pa si shnetin e tij të lig, ashtu dhe duzinën e smundjeve që kishte mbledhë burgjeve, – karrocën e Pilos do t’ia linin atij. Tan ditën e lume Pilo Korroveshi transportonte… si me e thanë, bre burra, se nuk përmendet… me nder jush… fekale. Po, por fekalen e mbante karroca me rrota dhe e tërhiqte kali! Murati kishte ba mend me shpëtu prej bishtit të shatit, që po ia hante kapak e përditë atë shkop hije që i kishte mbetë. Mandej, nuk i kishte sajue krejt kot llogaritë: me atë karrocë dhe atë punë, Pilo merrte pare ma shumë se të gjithë punonjësit e asaj kooperative: kokërr më kokërr – 250 lekë! Kshtu de, Pilo doli në pension dhe menjëherë Murati ngarendi me paraqitë kërkesën në zyrat e Kryesisë së Kooperativës.
Ditën e mbledhjes e thirrën Muratin. Mbledhja mbrenda, Murati jashtë. Priste. Dikur e thirrën dhe hyn Murati në sallë. Hala pa iu mësue sytë prej dritës së fortë t’qershorit, pa i dallue mirë fytyrat e mbledhuna rreth tavolinës së presidiumit me beze t’kuqe, dikush i briti fort:
- Murat Sina! Ju na keni dërguar një kërkesë për të marrë karrocën e Pilo Korroveshit, kështu?
- Si urdhëroni, – përgjigjet Murati në tym, tue e kullue kadalë shikimin e tue i ra thartë prej presidiumit të mbledhun në atë sallë: nuk mungonte asnjë prej “Komitetit Qendror të Kooperativës”, siç na tha ai vetë, ma vonë.
-Ju elementët e klasave të përmbysura, në vend që të edukoheni nëpërmjet punës, kërkoni qoshe të ngrohta, si e si për t’iu shmangur ballafaqimit me të! Këtu ju kanë sjellë në internim, që të edukoheni nëpërmjet punës, të ndërroni mentalitet, e jo të bëni karrierë!
- Për çfarë karriere e ke fjalën or shoku sekretar!? Të gjithë e dinë që jam i smut… që jam i kputun fuqish…
Të gjitha kokat filluan me pëshpëritë në veshin e njeni-tjetrit. Sekretari i partisë, në qendër të tavolinës gjatoshe, ndigjonte herë pëshprimat që i vinte kah e majta, herë ato që ia sillnin shokët kah e djathta. Tundtte kryet, diç zhgarraviste, e Murat Sina kishte mbetë aty, paluejtë vendit para tyne, si një kërcu i përzhitun kaherë prej rrufesë. Ma në fund sekretari i drejtohet Muratit:
- E shqyrtuam kërkesën tuaj dhe vendimi i shokëve është, se juve, një ish-të pandehuri, të dënuar nga drejtësia popullore, tani – të internuar, – nuk mundemi në asnjë mënyrë t’jua besojmë një punë e detyrë të tillë. Përmbi të gjitha, ju nuk keni as triskë Fronti!
- As triskë Fronti! – përsëdyti zymtë kryetari i Këshillit.
Gjatë qëndroi para tyne Murat Sina, heshtun e me shpresë se mos ndonjeni ndryshonte mendim, por kur e pa se Kryetari i Frontit po ia bënte me trinën e dorës gjestin dëbues – çka donte me thanë; “Ik, thyej qafën!”, atëherë, para se me u largue, Murati ia shprazi gjithë habinë e vet sekretarit të Partisë:
- Pashë njat’ Zot, or shoku sekretar! Po a edhe me ngranë mut mor, u dashka triska e Frontit?!
“Gazeta Panorama”