English

UT, Kule shkarkon dekanin e Mjekësisë

Tiranë, 30 Mars 2011 NOA/ Ervin Tirana – Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, shkarkohet nga detyra, me një vendim të marrë sot nga Rektori i Universitetit të Tiranës.

Ky vendim po sot i është dërguar z.Myqerem Tafaj, pasi autoriteti që konfirmon shkarkimin e dekanit të Fakultetit te Mjekësisë është Ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Në shkresën e firmosur prej tij, z.Kule thotë se e mori këtë vendim, pasi z.Priftanji “në mënyrë të vazhdueshme ka kryer dhe vazhdon të kryejë veprime të cilat kanë sjellë pasoja serioze në funksionimin normal të Fakultetit të Mjekësisë dhe Universitetit të Tiranës.

Rektori Kule detajon se “me veprimet dhe mosveprimet e tij, z.Priftanji ka refuzuar në mënyrë arbitrare respektimin e ligjit për arsimin e lartë aktet nënligjore në zbatim të tij si dhe ka shkelur hierarkinë institucionale duke mos zbatuar vendimet dhe urdhrat e autoriteteve drejtuese të UT”.

Kule sqaron se Priftanji “ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme funksione që nuk i takojnë dhe ka krijuar në mënyrë artificiale, pengesa serioze në të gjithë veprimtarinë funksionale të fakultetit që drejton”.

“Këto pengesa kanë bërë që të shpenzohet kohë dhe energji e panevojshme, duke sjellë për pasojë lënien pas dore të detyrave funksionale dhe humbjen e kontrollit në mësimdhënie, zhvillimin e praktikave mësimore, etj”.

Në këtë pikë, Kule i drejtohet z.Tafaj me konsideratën për z.Priftanji se “shkeljet e kryera kanë krijuar anomali serioze në Fakultetin e Mjekësisë”.

e.t/NOA

KOMENTE