Tiranë, 30 mars, NOA – Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle ka deklaruar sot gjatë takimit me presidentin Topi se integrimi i vendit në BE do të varet edhe nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve të 8 majit dhe arritjes së standardeve në këtë proces.
“Sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje të lirive thelbësore të njeriut, të shtetit të së drejtës, të pronës, forcimit të demokracisë, lirisë së medias, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj”, ka thënë Fyle gjatë takimit me Presidentin Topi.
Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe Komisioneri Fyle ndanë të njëjtin mendim se rivendosja e dialogut institucional politik dhe realizimi i zgjedhjeve vendore në Shqipëri sipas standardeve më demokratike perëndimore, do të ndikojë ndjeshëm në plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian si dhe në rrugëtimin e mëtejshëm integrues të vendit tonë.
Në këtë takim, zoti Fyle shoqërohej nga anëtari i Kabinetit, Klaus Giring dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.
Zyra e shtypit e Presidencës njofton se Fyle shprehu interesin e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi dhe rivlerësoi rolin e tij moderator e konstruktiv edhe në momente delikate të jetës politike dhe të institucioneve të pavarura të vendit. Komisioneri Fyle theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.
Duke u uruar mirëseardhjen, Kreu i shtetit shprehu kënaqësinë për këtë takim të rëndësishëm dhe vlerësoi lart kontributin personal të Komisionerit Fyle si dhe bashkëpunimin e mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i jep vendit tonë, duke theksuar se: “Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin në familjen evropiane dhe se do të gjejë vullnetin e duhur për të përmbushur standardet e kërkuara, si tregues të angazhimit të pandërprerë jo vetëm të institucioneve të shtetit, por dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë integrimin evropian”.
Pasi bëri një përshkrim të situatës më të fundit politike në vend, kryesisht lidhur me zgjedhjet e afërta vendore, Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv dhe me tone të qeta mes palëve është garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura të tij. Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shprehu besimin se “me vullnetin e duhur të partive politike dhe angazhimin serioz të tyre, duhet të ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 të realizohen me sukses të plotë, që të jenë të drejta, korrekte dhe sipas standardeve demokratike evropiane, dhe në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.
a.k/NOA