English

Ahmetaj: Basha fushatë me euro dhe dollarë fallso

Tiranë, 31 mars, NOA – Partia Socialiste ka denoncuar sot futjen e sasive të mëdha të eurove dhe dollarëve fallso për qëllime elektorale në vend. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj tha sot për mediat se këto para do të përdoren për të blerë votat e qytetarëve.

“Është një fakt që në prag të kandidimit të Lulit të Saliut ka pasur një vërshim monedhash false, euro dhe dollarë, ku spikasin veçanërisht prerjet 100 dollarëshe me cilësi të lartë falsifikimi. Këto para false kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në Shqipëri për llogari të regjimit të Sali Berishës. Me këto para Saliu dhe Luli i Saliut kanë bërë në plan të mashtrojnë votuesit shqiptarë, të tentojnë të blejnë votat e tyre dhe të tentojnë të deformojnë zgjedhjet lokale”, tha Ahmetaj.

Reagimi i deputetit të PS-së erdhi pas deklaratave të bëra sot nga kreu i qeverisë për fuqinë e monedhës shqiptare.

“Njeriu që po vjedh paratë e shqiptarëve foli sot për monedhën shqiptare. Sali Berisha duhet të kishte gjetur guximin t’u tregonte shqiptarëve për eurot dhe dollarët fals që po fut në Shqipëri në një përpjekje për të blerë zgjedhjet lokale”, tha Ahmetaj.

Nga ana tjetër, Ahmetaj ka shtuar se paratë e kontrabandës së naftës po përdoren për të blerë median që do të përdoret gjatë fushatës.

“Paratë e pista të kontrabandës së armëve e naftës vergine, paratë e vjedhjes së rrugës Durrës – Kukës, milionat e fituara në Gërdec në kurriz të jetës së shqiptarëve, po përdoren sot për të blerë median e për të sponsorizuar fushata baltosje kundër opozitës, gjithçka në emër të kandidimit të Lulit të Saliut”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se “qytetarët shqiptarë do t’ua thonë atyre qartë dhe shkoqur në 8 maj: kurrë më me Saliun. E vetmja rrugë është Partia Socialiste”.

a.k/NOA

KOMENTE