Pejë, 31 mars 2011, NOA - Departamenti Special kundër korrupsionit në policinë e Kosovës arrestoi mbrëmë dy të dyshuar për shmangie nga tatimet dhe pastrim parash. Policia e Kosovës ekzekutoi një kontroll të imtësishëm në shtëpitë dhe objektet e dy të dyshuarve në Pejë si dhe në lokalin ku ata zhvillonin biznesin e tyre në fshatin Zahaq të Pejës.
Pas kontrolleve policia arrestoi dy shtetasit kosovarë me iniciale B.S (i lindur në vitin 1980) dhe B.S (i lindur në vitin 1981).
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se policia dyshon se dy të arrestuarit gjatë ushtrimit të biznesit të tyre i janë shmangur detyrimeve ligjore për ushtrimin e biznesit.
Rasti në fjalë nisi të hetohej katër muaj më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Departamentin Special Kundër Korrupsionit.
Sipas policisë dy të arrestuarit kanë qarkulluar një vlerë parash në mbi 3 milion Euro.
mit/NOA