English

Bode: Pretekstet e PS, si litari i Nastradinit

Tiranë, 31 mars, NOA – Ministri i Financave, Ritvan Bode tha sot në seancën e Kuvendit se opozita duhet të votojë marrëveshjet e qeverisë që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo të kapet pas pretekstesh.

“Ju kërkoj që në vend të preteksteve, në vend të litarit të Nastradinit të votoni projektet që janë në dobi të qytetarët”, tha Bode.

Ai mbrojti marrëveshjen me qeverinë Gjermane të paraqitur në Kuvend për financimin e disa ujësjellësve dhe veprave publike. Ai u shpreh se kjo marrëveshje ka të bëjë me një kredi rreth 20 milionë euro, e cila synon sistemimin e mjaft ujësjellësve. Duke folur për gjendjen e shërbimeve të ujësjellësit, Bode ka theksuar se pushti vendor ka refuzuar që ta marrë përsipër këtë shërbim. Ai tha se në Tiranë kreu i Bashkisë është Sait Dollapi dhe jo Edi Rama për furnizimin me ujë të banorë.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës është Seit Dollapi që zgjidhi problemin e ujit, kurse kryetari i Bashkisë u fsheh. Edhe në Durrës qeveria i ka kaluar ujësjellësin bashkisë së Durrësit, por ajo nuk e pranon se nuk e menaxhin dot. Po kështu edhe në Elbasan”, tha Bode

Ai shtoi se menaxhimi është përgjegjësi e pushtetit vendor dhe për këtë arsye qeveria ka vendosur që furnizimi me ujë të jetë prioritet për qeveritë lokale.

Ai ka shtuar se mos kalimi i ujësjellësve në pushtin vendor ka bllokuar dhe fondet e projekteve ndërkombëtare.

“Në bashkinë e Tiranës miliona dollarë për t’u investuar për ujësjellësin. Por duke qenë se në atë kohë Rama tha se do të merret ai menaxhimi e ujësjellësit, këto fonde kanë mbetur të ngrira”, tha Bode.

a.k/NOA

KOMENTE