English

Daniel Server: Veriu, mbetet një problem i madh për Kosovën

Uashington, 31 mars, NOA - Ekziston shumë pak njohje e legjitimitetit të autoritetit të Prishtinës në veri, thotë për “Radion Evropa e Lirë” Daniel Server, profesor në Universitetin “Xhons Hopkins” në Uashington. Zoti Server, tani e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se zgjedhja e presidentit Behxhet Pacolli nuk ishte në harmoni me Kushtetutën. Kjo duket se është edhe një krizë politike, pas asaj me dorëheqjen e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Pra, si e vlerësoni ju situatën politike në Kosovë?

Vendimi i Gjykatës është vendim gjykate dhe ai mund t’i shkaktojë disa vështirësi politike. Për mua, çështja më e rëndësishme është se a po funksionojnë institucionet e Kosovës? Më duket se përgjigjja ime do të ishte: po! Nëse ju shkoni në gjykatë dhe e keni vendimin si këtë, kjo më thotë se gjykata po funksionon.

Ne e pamë rrethin e dytë të takimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është thënë se bisedimet janë për çështje praktike, e jo politike. A pritni ndonjë rezultat nga këto bisedime?

Pres. Shpresoj se do të arrihen disa zgjidhje për çështje praktike, për të cilat është biseduar. Këto çështje janë regjistrat kryesorë, librat e të lindurve, energjia elektrike...

Pra, më duket se duhet të ketë aftësi për arritjen e disa zgjidhjeve për çështjet e këtilla dhe kjo do të ishte gjë e mirë. Disa analistë thonë se institucionet e Kosovës nuk e kanë nën kontroll të plotë pjesën veriore. Pastaj, ishte raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave që konkludoi se kjo pjesë e Kosovës është me sovranitet të dyfishtë në praktikë. Sipas jush, a është ky vlerësim i drejtë?

Nuk mendoj se është i drejtë. Jo. Nuk mendoj se ky është sovranitet i dyfishtë. Unë mendoj se sovranitetin në veri e ka Beogradi. Mendoj se ekziston shumë pak njohje e legjitimitetit të autoritetit të Prishtinës në veri. Ky është problem i madh. Ta cilësosh atë si sovranitet të dyfishtë nuk është në rregull. Kjo me siguri se në të ardhmen mund të ndryshojë, por Beogradi duhet të pajtohet që të ketë ndryshim. Ajo që nevojitet është që Serbia të bindet që të heqë dorë nga autoriteti, të cilin deri tash e ka mbajtur.

Javën e kaluar u shënua përvjetori i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë. Për shkak të situatës në Libi, a e shihni ndonjë ngjashmëri me bombardimet e NATO-s në Kosovë para 12 vjetësh?

Në një kuptim shumë të përgjithshëm ka disa ngjashmëri, pasi të dyja aksionet ushtarake u ndërmorën për qëllime humanitare. Por, rrethanat në terren dallojnë shumë. Nuk do të përpiqem të krijoj shumë paralele, por një prej tyre është tema e përbashkët e intervenimit humanitar.

Në fund të kësaj interviste do t’ju pyes për çështjen e njohjeve. Kosova deri tash është njohur nga 75 vende. Disa thonë se ky numër është i vogël. Cili është mendimi juaj?

Nuk do të thosha se është i vogël, por Kosovës i duhen më tepër njohje dhe për këtë vit do të duhej të ishte synimi që të arrihen 100 njohje. Do të dëshiroja që pas kësaj, të kapërcehej edhe ky numër. Pra, nuk do ta përshkruaj këtë si numër të vogël, por ai ende nuk është plotësisht i kënaqshëm.

REL

KOMENTE