English

“Fajin e ka Saliu, ju jeni të parët”

"Si ka mundësi që ky slogan të mos përbëjë skandal? Pikërisht sepse ofrohet në një vend ku qytetarët kanë pranuar thuajse në mënyrë fatale që është normale që politikanët të ndjekin interesat e tyre, pavarësisht asaj që thonë, dhe që mbrojtja e interesave të qytetarëve është më tepër një instrument marketingu, ose nganjëherë edhe thjesht aksident politik".

Nga Ermal Hasimja

Sloganet konceptohen si përmbledhës i mesazhit të fushatës. Prandaj nuk mund të mos i marrim seriozisht. Në fakt, edhe vetë partitë i kanë marrë seriozisht. Aq seriozisht, sa ndoshta kanë thënë gjëra që nuk kanë dashur t’i thonë. I tillë është rasti i sloganit të fushatës së PD-së, shpallur prej vetë Kryeministrit: “Ju jeni të parët”. Slogani, natyrisht, synon të thotë se të parët janë qytetarët. Problemi qëndron se shprehja “Ju jeni të parët” nënkupton se ka edhe të dytë apo ndoshta edhe të tretë. Nëse janë vetëm qytetarët, nuk është e nevojshme të thuhet kush janë të parët. Kush janë, pra, të dytët e nënkuptuar pa dashje? Konteksti nënkupton se qytetarët janë të parët ose në raport me interesat personale të politikanëve, ose në raport me interesat e partive. Në të dyja rastet, pra jo interesa të qytetarëve. Domethënë, ajo që premton PD-ja është që (kësaj radhe) interesat e qytetarëve do të shihen me prioritet dhe vetëm pas tyre do të vijnë interesat personale të politikanëve ose partisë. Kjo nënkuptohet pothuajse pa dashje, sepse demokracia nuk është konceptuar kurrë si sistem për mbrojtjen, qoftë edhe në plan të dytë, të interesave personale apo partiake, por si sistem që mbron interesat e qytetarëve përmes përfaqësimit. Do të tingëllonte, natyrisht, shumë keq një slogan i tipit “Do të mendojmë për veten, pasi të mendojmë për ju”, ose “Ju jeni të parët dhe vetëm pastaj jemi ne”. Në fakt, duket sikur slogani i PD-së shpreh në mënyrë të pavetëdijshme atë që pothuajse çdo politikan mendon në veprimtarinë e përditshme: se interesat e qytetarëve ndeshen shpesh, qoftë edhe në pikëpamje përparësie, me interesat personale ose partiake. Dhe eventualisht mund të jenë edhe të fundit në listën e përparësisë.

Si ka mundësi që ky slogan të mos përbëjë skandal? Pikërisht sepse ofrohet në një vend ku qytetarët kanë pranuar thuajse në mënyrë fatale që është normale që politikanët të ndjekin interesat e tyre, pavarësisht asaj që thonë, dhe që mbrojtja e interesave të qytetarëve është më tepër një instrument marketingu, ose nganjëherë edhe thjesht aksident politik.

Le të vijmë të slogani i PS-së: “Fajin e ka Saliu”. Megjithëse nuk është slogan i shpallur fushate, ka shumë gjasa që të shprehë frymën e fushatës së PS-së, meqenëse ajo është deklaruar prej udhëheqjes së saj si politike dhe jo administrative. Problemi i parë lidhet me faktin se natyrën e zgjedhjeve e përcakton logjika e demokracisë dhe nevojat strukturore të politikës, dhe jo njëra palë apo tjetra. Rama nuk mund t’u kërkojë qytetarëve ta gjykojnë Berishën me kritere të ndryshme nga ato me të cilët duhet të gjykohet ai vetë. Nëse slogani “Fajin e ka Saliu” nënkupton se duhet gjykuar Berisha mbi bazën e performancës në pozicionin e tij (si Kryeministër), atëherë edhe vetë Rama duhet gjykuar për performancën në pozicionin e tij (në këtë rast të kryebashkiakut). Përse vallë Berisha duhet të gjykohet për performancën e tij, ndërsa Rama jo? Nëse qëllimi është të ndëshkohet dikush që eventualisht ka vjedhur zgjedhjet, siç pretendohet, atëherë vetë Rama duhet të kishte ikur me kohë, thjesht po t’i kishte marrë seriozisht akuzat në media, gjykata dhe në libra, të Spartak Ngjelës dhe Preç Zogajt, për zgjedhjet e vitit 2003. Problemi është edhe më i rëndë nëse kihet parasysh se përveç argumentit “fajin e ka Saliu”, Rama nuk ka asnjë argument tjetër për të përligjur kërkesën për votë. As program, as ide për Tiranën e së nesërmes. Ndërkohë, ka shumë qytetarë të Tiranës që jo vetëm mendojnë se kryeqyteti është bërë i pabanueshëm, por gjithashtu se “fajin për këtë e ka Edi”. Jo Edvini, por Edi. Sepse këta nuk janë detyrimisht votues të djathtë. Pjesa më e rëndësishme e votuesve, ata që me votën e tyre të lëkundur do të prishin balancën mes dy kandidatëve, janë larg militantizmit dhe klientelizmit dhe priren të bëjnë një analizë më të ftohtë të performancës së politikanëve. Për këtë kategori, NUK e ka fajin Saliu përse Tirana është e pabanueshme edhe për kryetarin pezak të Bashkisë së Tiranës e jo më për ata vetë, si dhe NUK e ka fajin Edi që qeverisja e Saliut i ka ndërruar korrupsionit vetëm ngjyrën, por jo peshën.

Për këto arsye, sloganet e fushatës dëshmojnë jo thjesht papërgjegjshmërinë politike ndaj qytetarit, por edhe një banalizim të marrëdhënies së mbrapshtë që ka krijuar elita politike me votuesin. Një marrëdhënie në të cilën nevoja krijuese e marketingut politik as nuk rreket të fshehë më pisllëkun që qëndron pas saj. Janë ditët e arta të “ekspertëve” të fushatave.

“Gazeta Panorama”,

KOMENTE