Tripoli, 31 mars 2011, NOA – Koloneli libian Muammar Gheddafi ka paralajmëruar ndërkombëtarët se Libia mund të dalë tërësisht jashtë kontrollit. Lajmin e bëri publik agjencia libiane shtetërore Jana.
“Nëse perëndimorët vazhdojnë, e tërë bota do të hyjë në një kryqëzatë të vërtetë”, deklaroi diktatori libian për agjencinë shtetërore libiane.
Gheddafi duke iu referuar ndërhyrjes së aleancës së NATO-s në Libi theksoi se “kanë shkaktuar një situatë tejet të rëndë, që nuk do të mund ta kontrollojnë dot, e që do t’u dalë jashtë kontrollit”, tha koloneli, duke bërë me dije se do të përdoret çdo lloj mjeti për të mbrojtur Libinë.
Ndërkohë më herët është dorëhequr edhe ministri i Jashtëm libian Mussa Kussa, i cili fluturoi dje drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Këtë e konfirmoi sot edhe zëdhënësi i qeverisë libiane Mussa Ibrahim në një konferencë për shtyp.
Burime brenda qeverisë britanike bënë me dije se ministri libian i dorëhequr është në një gjendje psikike të brishtë.
Ndërkohë mësohet se Gjykata e Lartë e Skocisë do ta marrë në pyetje ish-ministrin Kussa mbi masakrën e Lockerbie.
mit/NOA