Tiranë, 31 mars 2011, NOA- Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Gjoni që ditën e sotme u ndal në njësinë bashkiake nr.3 në kryeqytet për të denoncuar shkeljet e bëra nga njësitë bashkiake për listat e votuesve.
Sipas tij, “Çdo njësi bashkiake, listat i ka detyrim ligjor për t’ia dërguar çdo subjekti politik dhe çdo kandidati. Ndërkohë që ne po i referohemi një problemi që është akoma më akut sesa dorëzimi i listave. Këtu janë 5232 votues nga 34 mijë që ka njësia bashkiake dhe nga 17 - 18 mijë që votojnë zakonisht ose duke marrë parasysh votimet e 2009. 5232 banorë këtu figurojnë pa adresë”.
Gjoni theksoi se shqetësimi i Partisë Socialiste bazohet në këtë listë dhe qëndron në faktin që ka munguar kjo transparencë, dhe kjo mungesë informimi nuk është vetëm për njësinë bashkiake numër 3, por në tërësi në shkallë vendi.
Ai bëri me dije se kjo parti nuk mund të pranojë që të mos ketë akses në ndryshimet që po pësojnë listat, pasi nuk pranojnë të vihen përpara një fakti të kryer në datën 8 prill kur të dalin listat përfundimtare, pasi në atë moment sipas deputetit socialist, nuk ka asnjë mundësi objektive për të realizuar korrigjimet e mundshme në këto lista.
a.y/NOA