Tiranë, 31 mars 2011, NOA – Ka mjaftuar goli i Salihit në ndeshjen me Bjellorusinë të shtunën e kaluar që Kryeministri Sali Berisha ta niste pikërisht me këtë arritje të kombëtares mbledhjen e përjavshme të qeverisë, e shtyrë për sot, për shkak të mungesës së ministrave në zyrën e qeverisë.
Duke përmendur golin e Salihit, kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria ka vendosur të shpërblejë përfaqësuesit e kombëtares shqiptare me nga 10 mijë euro për çdo lojtar.
Kryeministri nënvizoi të gjitha fitoret e kombëtares shqiptare me kombëtaret e huaja, duke theksuar se “kombëtarja shqiptare ka arritur fitore dhe ka realizuar lojëra të mëdha”.
Në këtë kontekst Berisha risolli në vëmendje fitoret e kombëtares kuq e zi me ekipin e të madhit gjerman Franc Bekenbauer në vitet ’70, apo fitoren e kuq e zinjve me Greqinë në 2004-ën, kur Greqi vinte sikundër tha kryeministri si mbretëreshë e kurorës evropiane në Tiranë.
“Por s’duhet të harrojmë se ndeshja më e bukur ishte ndeshja me Rusinë”, tha zoti Berisha në krye të mbledhjes së sotme të qeverisë.
Goli i Salihit, është fiksuar në mendjen e kryeministrit edhe për shkak të konotacionit që ai i jep emrit të futbollistit, duke ia vënë përballë sloganit elektoral të opozitës “Fajin e ka Saliu”.
mit/NOA