Berlin, 31 mars, NOA - Reforma më e madhe e Bashkimit Monetar Evropian u krye. 12 muaj pas gati falimentimit të Greqisë BE vendosi një strategji të përgjithshme për euron.
Ajo tregon drejtimin e duhur, por nuk mjafton për qetësimin e tregjeve Vendimet e samitit të BE javën e kaluar mbajnë dukshëm nënshkrimin gjerman. Qeveria federale shprehet e kënaqur. Ole Funke nga ministria e Jashtme: "Vendimet e marra tani janë një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të unionit monetar. Ne kemi paktin më të fortë të stabilitetit që prej themelimit të unionit."
Me këtë ai do të thotë se mëkatarët e deficitit nuk kërcënohen si deri tani me gjoba, kur deficiti kapërcen tre përqind të prodhimit të brendshëm bruto, por edhe nëse borxhi i përgjithshëm kapërcen 60% të rendimentit ekonomik. Pakti i stabilitetit jo plotësisht efikas Por edhe pakti më i rreptë i stabilitetit nuk parashikon sanksione automatike.
Përveç kësaj Këshilli i Evropës ka akoma një rol vendimtar në vendimin, nëse do të merren masa kundër një vendi. Pra vazhdon të mungojë besimi, se kësaj radhe do të funksionojë, pasi pakti i stabilitetit është anuluar një herë më parë, thotë Torsten Windels, krye-ekonomist i bankës Nord LB: "...Sepse shtetet e BE nuk duan t'i japin bileta dënimi njëri-tjetrit. Prandaj edhe kërkesa e ekonomistëve, që të krijojnë një instancë mbi BE, e cila të vendosë sanksione, të dërgojë letra blu dhe të zbatojë dënimet. Për këtë jemi akoma në pritje." Mbetet për të patur frikë se në të ardhmen përsëri mëkatarët potencialë të deficitit do të gjykojnë mëkatarët aktualë dhe në këtë mënyrë do të mbyllin një sy. Pakti "Euro-Plus" përgatit rrugën për qeverinë ekonomike Po aq i diskutueshëm është edhe pakti "Euro Plus", në të cilin vendet e eurozonës janë angazhuar, që të koordinojnë ngushtë me njëri-tjetrin çështjen e pagave dhe politikën sociale. Për Angelica Schwall-Düren, ministre për Çështje Evropiane në landin Nordrhein-Westfalen, pakti do të thotë rreptësi e madhe: "Kjo do të thotë se do të ndërmerren shkurtime në radhë të parë në fushën sociale, qoftë shkurtime pagash, qoftë reduktime të përfitimeve nga sistemet sociale. Ekonomikisht kjo dëmton fuqinë blerëse brenda shteteve. Gjithashtu është një problem i madh politik, sepse i ngre njerëzit kundër BE."
Kritik është edhe Thomas Fricke, kryeekonomist i Financial Times Deutschland. Për të pakti është një konstruksion i çuditshëm: "…që niset nga supozimi, se problemi kryesor i kësaj krize qëndron në faktin se pagat janë rritur shumë në disa shtete. Kjo ka diçka të vërtetë. Por ai nuk është me të vërtetë thelbi i krizës. Pagat rriten nganjëherë, sepse ekonomia merr shumë hov." Pakti "Euro Plus" sipas vlerësimit të Fricke duhet të hapë rrugën për një qeveri ekonomike, e cila para një viti ka qenë e paimagjinueshme për kancelaren Angela Merkel. Një tjetër tabu është thyer me fondin e emergjencës së përhershme, i cili do të vlejë që nga viti 2013. Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (EMS) përfshin 700 miliardë euro. Prej tyre Gjermania merr përsipër në formën e parave kesh dhe të garancive 190 milliardë. Fondi mund të blejë bono direkt në vendet e krizës. Për shumë vëzhgues me këtë është kapërcyer kufiri i kolektivizimit të rreziqeve dhe i transferunionit. 2011 viti i besimit?
Meqenëse fondi nuk parashikon ndihmë preventive dhe një proces i gjatë vendimmarrës është i paraprogramuar, vendimi, mendon Thomas Fricke i Financial Times Deutschland, i ngjan një ftese për spekulantët. Angela Merkel tha në fund të samitit të BE: "Me këtë strategji të përgjithshme viti 2011 do të bëhet viti i besimit". Torsten Windels ka dyshimet e tij: "ESM nuk ka qenë në gjendje të kthejë qetësinë në tregjet financiare. Nuk ka lëvizje pozitive". Deutsche Welle