Tiranë, 31 mars, NOA Update – Vendosja e një moratoriumi 10-vjeçar kundër prerjes së pyjeve, ka qenë kushti i kërkuar sot në seancë plenare nga ana e deputetit socialist Blendi Klosi, në kuadër të parandalimit të asaj që ai e ka quajtur “masakër me pyjet”.
“Motosharrat po shkatërrojnë pyjet. Ndaj propozoj një moratorium të motosharrave për një periudhë dhjetë-vjeçare dhe të pezullohen të gjitha licencat”, tha ai.
Ndaj kësaj kërkese të tij, ka reaguar menjëherë ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, i pranishëm në sallën e Kuvendit.
Sipas tij, në fakt, duhet hartuar një ligj i posaçëm i cili do të ndikonte në përmirësimin e situatës së rënduar të krijuar me pyjet në vendin tonë.
“Nëse ka një ide që vjen racionale në mbrojtje të pyjeve, unë them të ulemi të bëjmë jo thjeshtë një moratorium, por duhet ta bëjmë në mënyrë racionale. Ne duhet të marrim modelin më të mirë që të garantojë këto shqetësime të mëdha që kanë të bëjnë më shfrytëzimin e pyjeve”, theksoi Mediu. n.e/NOA