Tokio, 31 mars, NOA – Ndërsa prej javësh është hedhur alarmi se uji i pijshëm në rubinetat e Tokios, kryeqytetit të Japonisë, përmban radioaktivitet, disa herë mbi normat e lejuara, kjo tashmë vlen të thuhet edhe për ujërat e detit të këtij vendi.
Kështu, ekspertët japonezë të radioaktivitetit deklarojnë se nivelet e jodinit radioaktiv në ujin e detit që ndodhet pranë centralit bërthamor të Fukushimës janë 4.385 herë më të larta se kufijtë e lejuar.
Të gjithë janë të frikësuar, pasi ky është niveli më i lartë i arritur deri tani nga rrezatimi, që ka ndodhur prej shpërthimit të centralit Fukushima, i nxitur nga tërmeti dhe tsunami i pak javëve më parë në Japoni. n.e/NOA