Tiranë, 31 mars 2011, NOA – Një ditë para mbledhjes së tryezës së partive parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet vendore të 8 majit, Partia Socialiste dhe aleatja e saj PBDNJ firmosën një marrëveshje për zgjedhjet e 8 majit. Shefi i opozitës i paraprin kështu marrëveshjes së nesërme me koalicionin kundërshtar duke afruar edhe më pranë koalicionit të majtë partinë e Vangjel Dules, që kishte deklaruar më herët se do të kandidonte e vetme në zgjedhjet lokale të 8 majit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PS-së e PBDNJ-së, lideri i opozitës Edi Rama e vlerësoi marrëveshjen me partinë e minoritetit grek si një angazhim për mbrojtjen e procesit zgjedhor të 8 majit.
Shefi i opozitës dhe kandidati i PS-së për të katërtin mandat në Bashkinë e Tiranës Edi Rama deklaroi se “PBDNJ, bëhet pjesë e të vetmes rrugë tonës, për t’u dhënë mundësinë qytetarëve dhe zgjedhësve që të zgjedhin më të mirin në 8 maj”.
Rama theksoi se kjo është një marrëveshje e posaçme në funksion të Shqipërisë Europiane, pasi sikundër tha ai zgjedhjet e 8 majit janë me rëndësi jetike për Shqipërinë.
Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se opozita është e angazhuar të mbrojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe votën e popullit në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“Ne e nënshkruajmë këtë marrëveshje për të fituar zgjedhjet vendore të 8 majit”, tha shefi i selisë rozë.
Ai nënvizoi se marrëveshja do t’i vlejë edhe mbrojtjes së aspiratave të opozitës shqiptare dhe popullit opozitar për të rivendosur në vend demokracinë e marrë peng nga pushteti korruptiv i Sali Berishës i kthyer sikundër tha Rama, në regjim.
Sipas Ramës marrëveshja është jopolitike dhe ka si kusht primar të çojë vendin përpara në rrugën e integrimit.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule theksoi se “kjo marrëveshje jep mundësinë që zgjedhjet vendore të 8 majit të japin rezultat plebishitar”.
Kjo marrëveshje mes PS-së dhe PBDNJ-së vjen një ditë pasi Tiranën zyrtare e vizitoi Komisioneri për Zgjerimin në BE Stefan Fule, i cili u takua me krerë të politikës në vend.
Por, kjo marrëveshje i paraprin edhe takimeve të nesërme në Tiranë të zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Thomas Countryman, i cili do të krerët e politikës pikërisht për situatën politike parazgjedhore.
Këto takime e marrëveshje politike po intensifikohen vetëm pak ditë nga nisja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, fushatë që për Partinë Socialiste do të startojë në 7 prill.
mit/NOA