English

PTK po shitet që të paguhet Bechtel-Enka

Prishtinë, 31 mars 2011, NOA – Shitja e PTK-së, e paraparë me nenin 4 të Projektligjit për buxhetin e vitit 2011, është gjithsesi problemi kryesor i këtij buxheti. Prandaj, ne jemi kundër këtij neni dhe kundër këtij Projektligji për buxhetin, i cili e keqpërdor rritjen e pagave për ta kontrabanduar shitjen e PTK-së, ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovën e pasluftës.

Nga Albin Kurti

Në faqen 8 të Përmbledhjes së Analizës dhe Rekomandimeve të Ministrisë së

Zhvillimit Ekonomik të quajtur “Strukturimi dhe ekzekutimi i privatizimit të

Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK)”, të 22 marsit të vitit 2011,

si objektivë e parë e përgjithshme për privatizimin e PTK-së figuron

shprehimisht kjo fjali: “Implementimi i privatizimit të PTK-së, si pjesë e

reformës strukturore, të përcaktuar edhe me marrëveshjen e Fondit Monetar

Ndërkombëtar”. Pra, arsyetimi i parë është ideologjik dhe jo racional. Kemi

të bëjmë me racionalizim të një bindjeje dhe jo me racionalitet si të tillë.

PTK-ja nuk po shitet pse kështu e thotë vullneti i qytetarëve dhe e do

interesi i Kosovës, por pse kështu thotë një shkollë e mendimit që e nxjerr

jashtë ekonominë politike prej ekonomisë, një shkollë e mendimit e

ekonomizmit jopolitik, një shkollë e mendimit ku aderojnë fundamentalistët e

tregut të lirë, një shkollë e mendimit ku para se të mendohet për publikun

ekzekutohet privatizimi, pra, një shkollë e mendimit që është shumë më tepër

shkollë sesa mendim.

Tre objektivat e tjera në vijim janë: “Tërheqja e një investitori strategjik

ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit për të investuar kapitalin e

tij, në kompaninë kryesore telekomunikuese në vend”; “Rritja e

atraktivitetit të Shtetit të Kosovës, për investime strategjike serioze,

nëpërmjet kryerjes me transparencë dhe profesionalizëm të plotë të procesit

të privatizimit dhe ardhjes në vend të një investitori prestigjioz

ndërkombëtar”; dhe, “Futja e neto kapitalit ndërkombëtar në vend”. Në

vazhdën e të njëtit mosmendim të kësaj shkolle të mendimit, PTK-ja po shitet

në kuadër të besimit që zhvillimi ekonomik i vendit tonë do të vie prej

jashtë dhe jo prej brenda. Kjo pikëpamje e verbër e shpërfill historinë dhe

përvojën e shteteve të zhvilluara të cilat na e dëshmojnë që investimet prej

jashtë e ndjekin zhvillimin më parë e më shumë sesa që e shkaktojnë

zhvillimin. Kompanitë e suksesshme botërore shkojnë për investim në shtetet

ku tashmë ka zhvillim ekonomik e jo atje ku duhet inicuar ai zhvillim. E,

nëse megjithatë shkojnë në vendet e pazhvilluara si puna e Kosovës, atëherë

këtë e bëjnë për profit të shpejtë në marrëveshje me Qeverinë vendore të

korruptuar. Nuk ka bindje më të gabuar sesa ajo që investitorët e huaj do të

vijnë me një moral tjetër prej tonit dhe se ata nuk do ta keqpërdorin

Kosovën. Përderisa Kosovës së pavarur i mungon sovraniteti dhe shteti

ligjor, vendi ynë dhe pasuritë e tij gjithnjë do të shfrytëzohen egërsisht.

Përderisa nuk kemi sovranitet dhe as sundim të ligjit në Kosovë, kushdo që

do ta blejë PTK-në, KEK-un apo Trepçën do të bëhet më i fuqishëm edhe se

vetë shteti i Kosovës.

Neve na nevojitet zhvillimi ekonomik dhe për këtë qëllim duhet të kemi shtet

zhvillimor. Zhvillimi mund të ndihmohet prej jashtë porse ai vjen nga

brenda. Zhvillimi duhet të ekzistojë në mënyrë që të rritet mandej.

Zhvillimi s’mund të vihet në ekzistencë prej jashtë dhe nga të huajt. Nëse

shpresohet që zhvillimi vjen në jetë prej jashtë dhe prej të huajve atëherë

zhgënjimi brenda është i pashmangshëm. Zaten, kjo tashmë po ndodh. Sepse

Kosova është shndërruar në vendin me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në

Evropë që për më keq është në rritje.

Objektiva e fundit e përgjithshme për privatizimin e PTK-së thuhet të jetë

kjo: “Përmbushja e kërkesave buxhetore të shtetit të Kosovës, të cilat

lidhen me investimet kapitale e që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e

mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës”. Është lënë në fund ajo

që është kryesorja: synimi që postën ta bëjnë asfalt. PTK-ja po shitet në

mënyrë që të paguhet kompania Bechtel-Enka kontrata me të cilën po mbahet

sekrete si për qytetarët e Kosovës po ashtu edhe për institucionet e

Kosovës. Mu në këtë dokument Qeveria thotë se: “pagesat e ardhshme të

dividendës nuk do të përfundojnë në Buxhetin e Qeverisë, por, mund të merren

nga pronari i ardhshëm” (sic.). Thuajse ai pronari i ardhshëm i PTK-së

mundet edhe të mos e marrë dividendën! Mbase Qeveria po përpiqet ta

mashtrojë veten sepse kushdo që e lexon këtë dokument nuk do të mund të

mashtrohet. Në fakt, duke qenë se dividenda në PTK është disamilionëshe në

muaj (jo në vit), aq i madh është fitimi i PTK-së saqë ne do të mund ta

kishim edhe autostradën, edhe PTK-në.

Shitja e PTK-së, e paraparë me nenin 4 të Projektligjit për buxhetin e vitit

2011, është gjithsesi problemi kryesor i këtij buxheti. Qeveria thotë që po

e privatizojmë PTK-në në mënyrë që të mos marrim hua: “Huaja rritë borxhin

kombëtar dhe duhet të kthehet së bashku me interes.” Kjo do të thotë që në

vend se të marrim hua, ne po shesim! Por, natyrisht, atëherë kur s’do të

kemi se çfarë të shesim do të marrim hua. Njëra e pason tjetrën. Ne po

shesim ashtu që të mos marrim hua tash por pak më vonë.

Prandaj, ne jemi kundër këtij neni dhe kundër këtij Projektligji për buxhet

i cili e keqpërdor rritjen e pagave për ta kontrabanuar shitjen e PTK-së,

ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovën e pasluftës.

*Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për Projektligjin e Qeverisë për buxhetin e vitit 2011

KOMENTE