English

Qeveria u heq taksën fasonëve, këta biznesmenë që rrjepin shqiptarët

Ca më keq, disa biznesmenë bastardë italianë, po shfrytëzojnë shqiptarët duke i punësuar me orare rraskapitëse, ditën dhe natën, në call center. Këtu skema është dhe më e rëndë sepse mbizotëron mashtrimi: Punonjësit shqiptarë detyrohen nga këta fasonë që kaq shumë po përkëdhelen nga shteti, që të hiqen sikur ndodhen në Itali ndonëse gjenden në mes të Tiranës apo Durrësit, dhe të shesin paketa telefonie dhe interneti nëpërmjet thirrjeve që kryejnë me familje dhe biznese në Itali

REDAKSIONALE NOA

Tiranë, 31 mars 2011 NOA – Zero taksë doganore për mallrat e biznesit fason në Shqipëri, nga 12.5 për qind që ishte deri sot.

Vendimin që ka ndikim jo të pakët në buxhetin e shtetit duke e rënduar atë edhe më shumë, e shpalli para pak çastesh kryeministri Berisha.

Shefi i qeverisë tha se kjo masë drastike financiare vjen si përpjekje për të rritur eksportet dhe për të shtuar vendet e punës nëpërmjet krijimit të kësaj lehtësire financiare tek biznesi fason.

Berisha pranoi se shuarja e kësaj takse do të krijojë probleme në të ardhurat e shtetit por shtoi se ishte optimist se qëllimi për të cilin bëhet do të funksionojë.

Por çfarë është biznesi fason. Për hir të së vërtetës, është aktualisht në Shqipëri, biznesi që abuzon më shumë me punëmarrësit, duke u dhënë në pjesën më të madhe të tyre, paga qesharake.

Shumë biznesmenë nga Italia, po e shfrytëzojnë kaq shumë lehtësinë fiskale në vendin tonë, saqë kanë ngritur këtu punishte dhe fabrika për prodhim produktesh të ndryshme, duke i paguar shqiptarët me vlera qesharake.

Pse ndodh kjo?

Nëse një shtetas italian, do të punonte në një fabrikë në atë vend, do të merrte jo më pak se 1600 euro në muaj. Për më tepër, do të merrte pagën e 13-të dhe ndoshta edhe të 14-tën në çdo vit.

Po ashtu do të kishte edhe dy ditë pushim në javë. Dhe nëse do të punonte jashtë orarit apo në ditë festash zyrtare apo pushimi, do të merrte deri në 250 për qind më shumë.

Nëse do të ishte i sëmurë, do të paguhej po ashtu. Dhe nëse do të lindte fëmijë, nëna do të qëndronte nga një deri në dy vjet pushim dhe do të paguhej normalisht.

Rregullat e sigurisë në punë, do të bënin që çdo gjë që mund t’i ndodhte një punëmarrësi, t’i kushtonin aq shumë sa familja e tij mund të jetonte për shumë vite pa asnjë vështirësi ekonomike.

Për të mos harruar se sigurimet shëndetësore dhe shoqërore si dhe taksat e tjera ndaj shtetit, arrijnë në vetë pagën mujore të punëmarrësit.

Në këto rrethana, disa shfrytëzues të mirëfilltë të të tilla oportuniteteve, po bëjnë pikërisht abuzimin me shqiptarët, duke korrur fitime marramendëse.

Sepse shqiptarëve nuk u jepet thuajse asgjë nga të drejtat që u jepen italianëve, siç lexuat më poshtë.

Nga një vëzhgim i bërë në disa biznese fasone, ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre, kanë hapur në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe disa qytete të tjera, kryesisht në periferi dhe rrethina, punishte për konfeksione, rroba, këpucë etj., ambalazhim produktesh, përgatitje paketimi dhe ambalazhimi ëmbëlsirash (“vezët” Kinder sorpresa) dhe biznese të tjera të këtij lloji.

Berisha tha sot se biznesi fason është kryesori në peshën e punësimit.

Por si funksionojnë këto biznese dhe si shfrytëzohen punonjësit shqiptarë. Të ashtuquajturit fasonë, marrin lëndën e parë në Itali apo gjetkë dhe e sjellin në Shqipëri. Këtu, hapin punishte në më të shumtën jashtë çdo kushti dhe standardi evropian dhe punësojnë njerëz, kryesisht vajza dhe gra, të cilët marrin paga qesharake. Nga vëzhgimi ynë del se një punëmarrës paguhet 10 mijë lekë të reja në muaj, në rasatin më të mirë 25 mijë lekë.

Shumë fasonë të tjerë paguajnë me normë, duke bërë që paga mujore e një punëmarrësi të mos kalojë 10-15 mijë lekët.

Ca më keq, disa biznesmenë bastardë italianë, po shfrytëzojnë shqiptarët duke i punësuar me orare rraskapitëse, ditën dhe natën, në call center.

Këtu skema është dhe më e rëndë sepse mbizotëron mashtrimi: Punonjësit shqiptarë detyrohen nga këta fasonë që kaq shumë po përkëdhelen nga shteti, që të hiqen sikur ndodhen në Itali ndonëse gjenden në mes të Tiranës apo Durrësit, dhe të shesin paketa telefonie dhe interneti nëpërmjet thirrjeve që kryejnë me familje dhe biznese në Itali.

Vëzhgimi nxori se këta punonjës që shtiren si italianë dhe duhet të flasin mirë italisht, marrin deri 8 mijë lekë në muaj. Hileja vazhdon sepse asnjë siguracion nuk i paguhet në më të shumtën e punonjësve sepse ata paguhen pjesa dërrmuese me orë dhe me normë e jo me kohë të plotë, qëllimisht që të shmangen përgjegjësitë që zbatohen në vendin nga kanë ardhur.

e.t/NOA

KOMENTE
  • A.B.00:23 - 01 Prill 2011
    Nje here pak me profesionalizem ne termat,e shkruarjen e artikullit. Pastaj kur ti bejme ne rregullat e normat ligjore ,te tilla ,apo me te mira se ato italiane,e mundsisht edhe ti zbatojme çka eshte me e rendesishmja,mund ti themi edhe firmave apo bizneseve te huaja,per ti zbatuar.Ose ç'ka eshte me e mira por jo me pak e lehte per tu arritur ,kur te krijojme edhe ne firmat apo kompanite tona po aq te sukseshme ndoshta do ishte me mire per ne,e ndoshta nuk do kishte probleme per Zbatimin apo respekimin e rregullave,apo çeshtje te tilla.