Tiranë, 31 mars, NOA – Presidenti Bamir Topi deklaroi sot gjatë takimit me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazlo Këver, se zgjedhjet lokale në vend duhet të jenë sa më pak të politizuara.
“Sa më pak të politizuara të jenë këto zgjedhje, aq më shumë do t’u kushtohet vëmendje shërbimeve dhe interesave të qytetarëve”, tha kreu i shtetit, duke folur për rëndësinë që kanë zgjedhjet dhe arritja e standardeve demokratike.
Në këtë linjë, Topi vuri në dukje angazhimin e gjithanshëm të shtetit shqiptar në zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura e demokratike të këtyre zgjedhjeve.
Gjithashtu kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e madhe që paraqitet edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, duke qenë se: “Parlamenti është tempulli institucional i demokracisë” dhe ky bashkëpunim e shkëmbim përvoje do të kontribuonte në realizimin me sukses të proceseve të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Kryeparlamentari hungarez, Lazlo Këver pasi e falenderoi Kreun e Shtetit shqiptar për pritjen e ngrohtë e miqësore, shprehu bindjen në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë dhe Hungarisë në mjaft fusha, sidomos në drejtim të bashkëpunimit të frytshëm parlamentar në kuadër të përafrimit të legjislaturës shqiptare me atë të BE-së.
Zoti Këver vlerësoi gjithashtu arritjet e shënuara dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë, si dhe e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për vazhdimësinë e mbështetjes së Hungarisë në drejtim të rrugëtimit integrues evropian të vendit tonë dhe në përmbushje të aspiratës për t’u integruar në gjirin e familjes së madhe evropiane.
a.k/NOA