English

Zgjedhjet, Policia e Tiranës trajnon efektivët që do angazhohen në to

Tiranë, 31 mars, NOA – Policia e Tiranës, që prej datës 28 mars, është duke organizuar një trajnim të punonjësve të policisë, me temë “Detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor Maj 2011”.

Siç bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA, ky trajnim i cili do të zhvillohet deri më datë 6 prill, ka si synim të përfshijë në të gjithë punonjësit e policisë, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të 8 Majit.

Ky trajnim ka për qëllim garantimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve dhe përballimin me sukses e profesionalizëm të këtij procesi.

Konkretisht, brenda tij marrin pjesë gjithsej 1427 punonjës policie të nivelit zbatues, efektivë të komisariateve të Policisë nr.1, 2, 3, 4, 5, 6; Njësia e Policisë Rrugore Tiranë dhe punonjës të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit.

Në këtë trajnim, synohet që efektivët e policisë, të cilët do angazhohen me shërbim gjatë procesit zgjedhor, të jenë të aftë, të kuptojnë rolin dhe detyrat e tyre gjatë tij, si edhe të zbatojnë legjislacionin, të mbajnë qëndrim profesional, të zbatojnë detyrat e përcaktuara me rigorozitet, në përputhje me procedurat standarde të punës së Policisë së Shtetit dhe Kodin Zgjedhor.

n.e/NOA

KOMENTE