English

Zgjedhjet vendore, pas Fules, Countryman viziton në 1 prill Tiranën

Tiranë, 31 mars 2011, NOA – Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës intensifikojnë vizitat në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Një ditë pas vizitës blic të Komisionerit për Zgjerimin në BE Stefan Fule, i cili u takua me krerët më të lartë të politikës mësohet se do të vizitojë Tiranën në 1 prill edhe Zëvendës/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, Thomas Countryman.

Countryman rikthehet në Tiranë pas pak javësh nga vizita e tij më e fundit, për të diskutuar rreth situatës politike parazgjedhore.

Zyrtari i lartë amerikan do të takohet me autoritetet e larta të vendit, presidentin, kryeministrin, shefin e opozitës dhe ministrin e Punëve të Jashtme.

Countryman pritet të inkurajojë forcat politike që të zgjidhin ngërçin politik në vend e të nisin bashkëpunimin për një proces zgjedhor sa më demokratik.

Vetëm një ditë më parë Komisioneri për Zgjerimin në BE Stefan Fule i bëri thirrje forcave politike të zgjidhin ngërçin politik të tejzgjatur pasi në këtë mënyrë po rrezikojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Një mesazh të fortë pritet të japë edhe zyrtari i lartë amerikan, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në vigjilje të fushatës elektorale.

Partnerët e Shqipërisë i kanë bërë thirrje autoriteteve të larta të politikës dhe forcave politike që të bashkëpunojnë për arritjen e standardeve sa më të larta demokratike për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit, me qëllim që ato të jenë transparente e të pakontestueshme.

Zgjedhjet e 8 majit janë cilësuar si një test për maturimin e politikës shqiptare.

Por, vizita e nesërme e zyrtarit të lartë amerikan, që vjen në kryeqytetin shqiptar për të tretën herë brenda tre muajve të parë të këtij viti, përkon edhe me ditën kur është vendosur afati për nënshkrimin e një marrëveshjeje për zgjedhjet vendore në tryezën e partive parlamentare, për të cilën PS ka vendosur kushte.

mit/NOA

KOMENTE