English

Basha qytetarëve: Projekt për rigjenerimin e lagjeve

Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Lagja “Ali Demi” ka qenë stacioni i radhës ku është ndalur për të dëgjuar qytetarët kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha.

Qytetarët e kësaj zone i janë ankuar kandidatit të koalicionit “Aleancë për qytetarin” se “Ali Demi ka mbetur tërësisht i pazhvilluar, madje edhe infrastruktura e kësaj zone është për të ardhur keq, pasi sipas tyre brendia e lagjeve është e paprekur.

Lidhur me shtëpitë e vjetra dhe nevojën urgjente për ndërhyrje në to, Lulzim Basha u premtoi banorëve se kjo gjë do të ndodhë kur ai të jetë në krye të Bashkisë, pasi është pjesë e rëndësishme e programit të tij për kryeqytetin.

Një tjetër problem që iu prezantua kandidatit Basha ishin edhe taksat e larta.

Nga ana e tij Lulzim Basha i siguroi banorët se ka në projektin e tij për Tiranën zhvillimin dhe rigjenerimin e lagjeve në brendësi të tyre.

Lidhur me papunësinë, Basha i garantoi banorët se e ka prioritet punësimin dhe plani i tij ka krijimin e 30 mijë vendeve të reja të pune në Tiranë.

“Patjetër duhet të nisë perspektiva e punësimit të rinisë para se të mbarojnë shkollat. Ne duhet të nxisim fuqimisht investimet në Tiranë. Një pikë të veçantë informacioni për studentët do të ketë në Bashki, e cila do t’i afrojë me tregun e punës”,u tha qytetarëve kandidati Basha.

Ndër të tjera Lulzim Basha u premtoi banorëve se do ta rikthejë Kinema “Ali Demin”.

a.y/NOA

KOMENTE