English

Berisha flet për takimin me Countryman

Tiranë, 1 Prill 2011 NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim zëvendës-asistent Sekretarin e Shtetit Thomas Countryman, të cilin e falenderoi për kontributin dhe ndihmën e madhe që SHBA-të po i japin Shqipërisë në të gjitha drejtimet.

Berisha e njohu zotin Countryman me përgatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare dhe I rikonfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre.

Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së z. Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, në sajë të kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë.

Berisha tha se e siguroi z. Countryman se procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standardet më të larta të transparencës, duke falënderuar për këtë edhe angazhimin e OSBE – ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare që SHBA-të po i japin vëzhguesve vendas.

Kurse theksoi se mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve.

Kryeministri e njohu Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor.

Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.

Kryeministri e njohu z. Countryman edhe me arritjet në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa parti parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave.

Gjithashtu Berisha nënvizoi se pavarësisht procesit zgjedhor, qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna.

Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së Stefan Fule.

Ai e siguroi z. Countryman se mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t’ia japë iniciativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve.

Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive.

Zëvendëssekretari i shtetit Countryman ndërsa vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën paszgjedhore.

e.t/NOA

KOMENTE