English

Bllokuan trenin me gurë për t’i marrë skrap, identifikohen 3 autorët

Shkodër, 1 prill, NOA – Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë tre persona të dyshuar si organizatorë të tentativës për vjedhje skrapi, në një tren mallrash.

Lajmi konfirmohet prej saj për agjencinë e Lajmeve prej saj, duke saktësuar se ata janë përkatësisht Kristian Arra, 20 vjeç; Ludovik P. Lorja, 23 vjeç dhe 16-vjeçari me inicialet F.A.; që të tre lindur dhe banues në qytetin verior.

Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pas një kallëzimi të kryer nga Drejtori i Hekurudhës për Veriun, Tonin Trupa, se dy ditë më parë, treni i mallrave i linjës hekurudhore Bajzë-Shkodër-Elbasan, është bllokuar prej tyre me gurë, me qëllim shkarkimin e skrapit që ndodhej i ngarkuar në të.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të policisë, autorët nuk kanë arritur dot të vjedhin materialin e zbritur nga treni.

Në vendngjarje u kryen veprimet e duhura hetimore dhe u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e personave të lartpërmendur, të cilët dyshohen të jenë organizatorë të kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.

Materialet proceduriale në ngarkim të tyre, iu kaluan prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “Vjedhje të mbetur në tentative, e kryer në bashkëpunim“.

n.e/NOA

KOMENTE