Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Ditën e sotme 29 punonjës të administratës publike nga ministri të ndryshme në vend kanë përfunduar trajnimin e tyre dhe janë diplomuar në kuadër të programit për zhvillimin rajonal të Instrumentit për Para Aderim.
Programi për Mësim dhe Zhvillim Profesional është ndërmarrë nga projekti i PNUD-it “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, financuar nga BE-ja, ka zgjatur disa muaj dhe përfaqëson një një program inovativ në kontekstin e ndërtimit të kapaciteteve ne administratat publike nga projektet e BE-së si dhe të donatorëve të tjerë.
Gjatë kësaj ceremonie, zv. ministria e Integrimit, Jorida Tabaku tha: “Çfarë ju keni kryer është një kontribut i rëndësishëm në përpjekjet tona drejt integrimit evropian. Por ky është vetëm një aspekt. Edhe brenda IPA III dhe IV ka çështje të tjera që lidhen me zbatimin, të cilat do të duhet të thellohen më tej. Ekziston një çështje shumë më e gjerë ne mënyrën se si të përshtatim kapacitetet dhe kompetencat tona në adresimin e sfidave të të gjitha aspekteve të integrimit evropian, në të gjitha dimensionet e tyre. Kjo duhet të jetë një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve tona për të ndërtuar nje administratë të përkryer.”
Nga ana e tij, drejtori i PNUD-it në Shqipëri, Norimasa Shimomura, gjatë fjalës së tij tha se, “Ne promovojmë reformën e administratës publike, me qëllim që të ndikojmë në forcimin e institucioneve duke i bëre ato sa me përfaqësuese, të përgjegjshme dhe demokratike. Ne te njëjtën linjë me donatorë të tjerë, UNDP-ja është angazhuar në arritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të administratës publike. Ne jemi të interesuar të shohim arritjen e një transparence dhe objektiviteti te lartë në politikbërje, dhe si rrjedhojë rritjen e përgjegjshmërisë dhe padyshim ofrimin në mënyrën më efektive të shërbimeve”.
Pas përfundimit të këtyre trajnimeve një qasje e ngjashme do të ndërmerret edhe në nivel rajonal.
Në këtë linjë gjatë këtij evenimenti u nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi midis PNUD-it dhe 4 qarqeve te zgjedhura, Beratit, Dibrës, Kukësit dhe Elbasanit ku do të organizohen trajnime të cilat do të gërshetohen me përgatitjen e dokumenteve te rëndësishëm praktik si Strategjia e Zhvillimit Rajonal, Planet e Investimeve dhe lista e projekteve, duke përfshirë të gjithë aktorët kryesorë animuar nga autoritetet rajonale.
a.y/NOA