English

Gjoni: Vetëm te një minibashki, 5232 banorë pa adresë (VIDEO)

Tiranë, 1 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana – Vetëm te një minibashki, ajo nr 3 në kryeqytet, janë 5232 banorë pa adresë.

Pretendimi i ngritur nga kryetari i minibashkisë ka qenë për faktin se nuk është dërguar një kërkesë zyrtare nga pala e interesuar për të kërkuar këto lista apo modalitete të cilat i ka cilësuar si rutinë.

Lidhur me këtë, deputeti socialist Gjoni u pyet nëse është dërguar nga Partia Socialiste një kërkesë?

[media id=274 width=600 height=400]

Ai dha këtë përgjigje: “Listat i ka detyrim ligjor për t'ia dërguar çdo subjekti politik dhe çdo kandidati. Ndërkohë që ne po i referohemi një problemi që është akoma më akut sesa dorëzimi i listave. Këtu janë 5232 votues nga 34 mijë që ka njësia bashkiake dhe nga 17 - 18 mijë që votojnë zakonisht ose duke marrë parasysh votimet e 2009. 5232 banorë këtu figurojnë pa adresë. Pikëpyetja jonë dhe shqetësimi jonë i bazuar në këtë listë qëndron në faktin që ka munguar kjo transparencë, nuk është vetëm për njësinë bashkiake numër 3, por në tërësi në shkallë vendi. Ne si forcë politike kemi kërkuar të kemi akses në ndryshimet që po pëson lista nga fillimi i marsit deri ditën e sotme dhe nuk duam të vihemi përpara një fakti të kryer në datën 8 prill kur të dalin listat përfundimtare dhe në të mos kemi asnjë mundësi objektive për të realizuar korrigjimet e mundshme në këto lista. Shqetësimi jonë ka qenë për të qenë të përditësuar me ndryshimet që pëson lista ose jo. Ndërkohë që problem i banorëve pa adresë është i pajustifikueshëm. Ju të gjithë si media keni qenë dëshmitarë të një propagande që është bërë nga ana e qeverisë, nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së pushtetit vendor për një sistem gjoja modern të adresave të qytetarëve. Faktet janë shumë kokëforta dhe tregojnë që ka qenë një dështim i plotë dhe merr një ngarkesë më të madhe politike po të kihet parasysh që tani po hyjmë në një fushatë zgjedhjesh dhe problem i listave të votuesve është një gangrenë e cila nëqoftëse nuk zgjidhet në kohë do të krijojë probleme për mbarëvajtjen në tërësi të proceseve politike”.

e.t/NOA

KOMENTE