Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, priti pasditen e sotme në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Tomas Kantriman.
Gjatë takimit me kreun e diplomacisë shqiptare Kantriman theksoi se pas takimeve të sotme, sheh me kënaqësi se situata politike në Shqipëri në raport me ato të dy vizitave paraardhëse të tij është më e ç’tensionuar.
Më tej ai shtoi se, SHBA është duke punuar ngushtë me Bashkimin Evropian dhe OSBE-në, për ndjekjen e zhvillimeve gjatë procesit të zgjedhjeve vendore, proces i cili do të sjellë një dinamikë shumë më të shpejtë të integrimit të vendit tonë në BE.
Ndër të tjera të dy bashkëbiseduesit duke analizuar situatën e tanishme në Kosovë, vunë theksin në respektimin e Kushtetutës.
Në këtë takim, ata u ndalën në situatën në rajon, ku Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit vlerësoi shumë rolin që politika e jashtme shqiptare vazhdon të luajë në favor të interesave të paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
a.y/NOA