English

Kantriman nis punën, pasi përmbyll këshillat me Berishën, takim me Ramën

Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Tomas Kantriman, pak minuta më parë ka përfunduar takimin e tij me kreun e qeverisë Sali Berisha.

Mendohet se fokusi i këtij takimi të jetë përqendruar në dialogun mes palëve si dhe në plotësimin e kushteve për zgjedhje brenda standardeve më 8 maj.

Por pas këtij takimi, i radhës ka nisur në selinë rozë, ku Kantriman ka filluar bisedën me kreun e socialisteve Edi Rama.

Pas këtij takimi pritet që zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, të nis një tjetër këtë herë me kreun e shtetit Bamir Topi.

Mësohet se pas konkludimit të këtyre takimeve ku ai shoqërohet nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu, Kantriman do të mbajë një konferencë për mediat rreth orës 18.00 ku dhe do të përcjellë mesazhin e SHBA-ve për politikën shqiptare.

Kjo vizitë vjen dy ditë pas ardhjes në Shqipëri të Komisionerit për Zgjerimin Europian Stefan Fyle, i cili përcolli mesazhin partive politike se po rrezikojnë integrimin e Shqipërisë, pasi mungon dialogu mes tyre.

Shkak për këtë vizitë të tretë të tij brenda pak kohësh është bërë situata e vështirë politike në vend, ku mes palëve mungon dialogu.

Edhe këtë herë sipas të dhënave paraprake ai pritet ti parashtrojë krerëve të politikës në vend, mesazhin e SHBA-ve për zgjedhjet e 8 majit, të cilat janë prova e radhës për integrimin e vendit në Bashkimit Europian.

a.y/NOA

KOMENTE