English

Kosova filloi regjistrimin e popullsisë

Prishtinë, 1 prill, NOA - Në Kosovë prej sot ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Qytetarët janë ftuar për pjesëmarrje masive. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Rifat Blaku nga Komisioni Qendror i Regjistrimit, Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave të Kosovës si dhe Kjartan Brojnson nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm.

“Regjistrimi i popullsisë është një obligim i të gjithëve, regjistrimi do të krijojë parakushte për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik dhe një mirëqenie sociale për të gjithë ne”, ka theksuar ministri Yagcilar.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku theksoi se Kosova fillon ta japë një provim të madh, sikurse edhe shtetet e tjera, sepse ky është edhe një standard tjetër ndërkombëtar për ata që synojnë integrimin në BE.

Blaku shtoi se për tejkalimin e situatës me komunat me pushtet paralel janë duke u angazhuar udhëheqësit politik, në bashkëpunim me UNOPS-in. Të dhënat e mbledhura në këto komuna, sipas tij, do të përpunohen në data bazën e EUROSTAT-it.

Edhe Kjartan Bjornson, nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, dhe Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave të Kosovës, u bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces. Përgatitjet për regjistrim kanë filluar që në vitin 2005 dhe janë vëzhguar nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Regjistrimi i fundit i plotë i popullsisë është bërë në vitit 1981, kur Kosova kishte 1.584.000 banorë. Vlerësime të vitit 2007 numri e popullsisë e vendosin në 2.126.708, ndërsa në burime tjera hasen edhe shifra prej 2.200.000 banorë.

NOA

KOMENTE