English

Ministria e Drejtësisë, marrëveshje për mbrojtjen ndaj diskriminimit

Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Në Ministrinë e Drejtësisë gjatë ditës së sotme u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Ndërshtetëror të Ndihmës Juridike dhe Komisionit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit.

Thelbi i këtij memorandumi është dhënia e ndihmës juridike falas për personat e prekur nga diskriminimi, me qëllim rritjen e mbështetjes ndaj tyre.

Ministri Nishani me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje u shpreh se, “Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkërendimin sa më efektiv të dy institucioneve për rritur mbrojtjen nga diskriminimi, dhe dhënies me përparësi të ndihmës juridike falas për ata që e kanë të nevojshme atë.”

Kjo marrëveshje parashikon nxitjen dhe marrjen e masave mbi sensibilizimin e publikut dhe edukimin e tij, mbi ndihmën që ofrohet për çështjet që lidhen me diskriminimin, nëpërmjet klinikave lëvizëse, publikimeve, fushatave televizive dhe medias së shkruar si dhe kryerja e analizave dhe studimeve të përbashkëta me qëllim nxjerrjen e rekomandimeve të karakterit ligjor dhe administrativ dhe vënien e tyre në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të vlerësojë nevojën dhe formën e ndërhyrjeve konkrete.

Mësohet se forma e bashkëpunimit mes dy institucioneve parashikon bashkërendimin në dhënien e shërbimeve të këshillimit, përfaqësimit apo mbrojtjes në proceset gjyqësore, apo edhe në rastet e paraqitjes para organeve administrative shtetërore, në të cilat shqyrtohen në rrugë gjyqësore apo administrative, sipas rastit, çështjet që lidhen me diskriminimin.

Ky memorandum u firmos nga drejtuesja e Komisionit Ndërshtetror të Ndihmës Jurdike, Blegina Agolli dhe Komisionerja për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Irma Baraku.

a.y/NOA

KOMENTE