Prishtinë, 1 prill, NOA – “Fillimisht protesta është zhvilluar e qetë, por pas marrjes së informatës se është aprovuar ligji mbi buxhetin, protestuesit kanë tentuar që me forcë të hyjnë në brendi të oborrit të Kuvendit të Kosovës duke dëmtuar derën e hyrjes dhe kanë thyer dritaren e kabinës së policëve”.
Këto janë disa nga detajet që jep Policia e Kosovës, mbi protestën e djeshme të organizuar nga Sindikata e pavarur e punëtorëve të PTK-së, për të argumentuar sprapsjen e detyrueshme të përfaqësuesve të saj nga mjediset e Kuvendit.
Policia shton ndërkaq, se nga konfrontimi mes palëve, janë lënduar edhe dy zyrtarë policorë, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
“Për të parandaluar hyrjen me forcë të protestuesve, policia në sasi të kontrolluar ka përdorur spraj mbrojtës në drejtim të protestuesve. Ky akt nuk ka pasur si synim të prekë ndonjë person të caktuar që mund të ketë qenë prezent në këtë protestë”, shton deklarata e policisë së Kosovës.
“Sqarim për gjithë opinionin e gjerë: Policia e Kosovës gjatë protestës së djeshme nuk ka përdorur gazin lotsjellës, siç është pohuar në media, por është përdorur spraji – përzjerje speci djegës me lëng pjepri”, përfundon deklarata në fjalë.
n.e/NOA