English

Rama: Do i rikthejmë pushtetin qytetarëve

Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama është ndalur në njësinë nr.7 në kryeqytet ku është takuar me qytetarë të zonës.

Duke vënë në dukje problemet e mëdha me të cilat përballet sot vendi, si papunësia, varfëria e shumë probleme të tjera sociale, Rama theksoi se e vetmja rrugë për të shkuar përpara është puna dhe ndjeshmëria për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë komunitetet.

Më tej kreu i bashkisë së kryeqytetit u tha banorëve se transformimi i Tiranës do të vzhdojë më tej, por ka nevojë për durim dhe pjesëmarrje.

“Sot, shqiptarët që nga Tirana deri në periferitë e vendit vuajnë papunësinë, varfërinë, vuajnë pafuqinë blerëse, vuajnë për shkak të korrupsionit dhe të kusarisë, ndërkohë që e vetmja rrugë për ne është të shkojmë përpara me punë, punë, dhe t’i japim përgjigje problemeve që kanë komunitetet, duke transformuar hapësirat e përbashkëta”, u shpreh kandidati për të katërtën herë për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama.

Sipas tij transformimi i jetës së çdo familjeje, do të bëhet duke larguar këtë regjim kusarësh, duke u kthyer pushtetin qytetarëve dhe duke bërë pastaj, që gjithçka është bërë në këto kohë, të shumëfishohet, me një punë të përbashkët, me një mund të përbashkët dhe falë një ëndrre të përbashkët.

Ndërkaq Bashkia e Tiranës falë projektit mjedisor “Një qytetar – një pemë”, ka mundësuar mbjelljen e 124 pemë të llojit rrap, në rrugën “Ana Komnina”, pjesë e Njësisë nr.7.

Ndërkaq në vijim të këtij projekti do të mbillen edhe 194 pemë të tjera në rrugët,“Siri Kodra” (Rr.“Dibrës”–Unaza) , 70 bli, në bllokun “Komuna e Parisit (Kompleksi “Dinamo”–Rr.“M.Shtylla”), 44 bli dhe tek Unaza e vjetër (seg. Zogu i Zi–Brryli), 80 ligustër.

a.y/NOA

KOMENTE